Fëmijëve të lagjes “Bardhi” u mohohet e drejta e shkollimit (VIDEO)
Pëlqej
Fëmijëve të lagjes Bardhi, të fshatit Bllacë vazhdon t’u mohohet e drejta për tu shkolluar në shtetin e tyre. Rreth 50 nxënës nga ky fshat vitin shkollor 2017-18 e nisën sërish në shkollën fillore “Ilaz Thaci” të komunës Hani i Elezit në Kosovë.

Mersim Maksuti, profesor i së drejtës Kushtetuese akuzon Ministrinë e Arsimit për neglizhencë për shetasit e saj, posaçërisht ata të moshës së mitur.

Sigurisht që Ministria e Arsimit e ka detyrim kushtetues që për gjithë nxënësit e Republikës së Maqedonisë brenda territorit të sajë të sigurojë të gjitha kushtet edhe infrastrukturore që ato ta zhvillojnë arsimin në gjuhën e tyre.

Përndryshe, me këtë Ministria e Arsimit cënon një nga të drejtat e tyre themelore kushtetuese, të drejtës në arsim, prandaj e ka detyrim kushtetues ta realizojë një gjë të tillë – deklaroi profesor Mersim Maksuti.

Alsat tashmë disa javë i ka drejtuar pyetje ministres së Arsimit, Renata Deskoska lidhur me këtë problematikë mirëpo, deri në këto momente nga ky institucion nuk e panë të arsyeshme të japin asnjë përgjigje.

Udhëheqësit e mëparshëm të këtij dikasteri u shfajësuan duke akuzuar komunën Çuçer Sandevë se nuk ka dorëzuar dokumentacionin e duhur për ndërtimin e një godine të re shkollore. Ndërkohë nga komuna Çuçer Sandevë vazhdimisht heshtin për fatin e fëmjëve të lagjes Bardhi.

Nga ana tjetër, nxënësit në fjalë thonë se edhe ky vit shkollor do të jetë me shumë vështirësi për ndjekur procesin edukativo arsimor mes dy kufijve, Maqedoni-Kosovë.

“Edhe ky vit do të jetë i vështirë. E kemi shumë vështirë me shku në shkollë..Dëshirojmë ta bëjnë një shkollë në fshat”.

“Është shumë larg dhe shumë vështirë. Kur është shi ecim në këmbë, bëhemi me baltë edhe probleme mes kufirit kemi. Më mir se me pas shkollën këtu te Lagjja Bardhi nuk ka, shumë larg është prej këtu, mblidhemi shokë dhe shoqe dhe shkojmë. Kur është shi ndonjëherë shkojmë me makinë, por kur nuk është duhet në këmbë të shkojmë-shprehen disa fëmijë”.

Shkollimi në një shtet tjetër nuk është problem i tanishëm për banorët e lagjes Bardhi të Bllacës. Dekada me radhë banorët e këtij fshati kanë ndjekur mësimet në Kosovë për shkak se autoritet vendase kurrë nuk shprehën gatishmëri për zgjedhjen e këtij problemi.

Fshati Bllacë gjendet vetëm 25 kilometra larg qytetit të Shkupit./alsat-m/
Shtuar më 07/10/2017, ora 18:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori