"Fast and Furious" në Sarandë, policia ndjek me makina hajdutët e Igumenicës (VIDEO)
Policia e Sarandës si edhe ajo e Delvinës kanë arrestuar tre të dyshuar se kryenin vjedhje me dhunë prej disa kohësh në fshatrat e Igumenicës në Greqi.

Policia e Sarandës në bashkëpunim me Policinë Kufitare , prej 48 orësh organizuan punën duke mbajtur nën vëzhgim gjithë territorin që lidhet me fshatrat grekë që kishin ndodhur vjedhjet.

Si rezultat i punës vëzhguese dhe operative të zhvilluar nga shërbimet e Policisë së Komisariatit Sarandë, më datë 27.07.2017, rreth orës 07.20 të mëngjesit, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një automjet tip ''Toyota'' ku udhëtonin tre shtetas .

Mbi bazën e të dhënave të grumbulluara në rrugë operative nga Policia e Sarandës, ky mjet ishte i dyshuar se përdorej nga shtetasit që mund të kishin kryer vjedhjet në fshatrat e Igumenicës, Greqi.

Shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Sarandë janë vënë në ndjekje të automjetit, ku kanë njoftuar edhe shërbimet e Policisë së Komisariatit të Policisë Delvinë, të cilët kanë ngritur menjëherë një pikë kontrolli në vendin e quajtur ''Ura e Gajdarit'', por drejtuesi i automjetit së bashku me shtetasit që ndodheshin me të, nuk i janë bindur urdhërit të punonjësit të Policisë për të ndaluar dhe janë larguar me shpejtësi më të madhe.

Policia ka vijuar ndjekjen e automjetit deri në ''Qafë Gjashtë”, ku është bërë i mundur ndalimi i automjetit.

Në momentin e ndalimit njëri prej shtetasve nxjerr nga makina një çantë dhe e hedh në anë të rrugës duke tentuar të largohet me vrap.

Policia ka bërë kapjen dhe shoqërimin e tre shtetasve në Komisariatin e Policisë Sarandë , si dhe sekuestrimin e çantës dhe të automjetit.

Nga verifikimet e para të kryera nga Policia, në automjet rezultuan të ishin shtetasit:

- Gëzim E., 40 vjeç, banues në Sarandë, drejtuesi i automjettit.

- Nel Sh., 28 vjeç, banues në Bulqizë.

- Alfred H., 34 vjeç, banues në Durrës.

Nga kontrolli i ushtruar nga Policia në çantë dhe në automjetin tip Toyota ka rezultuar se kishte:

• 2 armë zjarri pistoletë, një model ''TT'' dhe një tjetër model ''Zastava'', 2 krehër pistolete me fishekë në brendësi.
• disa telefona celularë
• bizhuteri të ndryshme

Nga veprimet e para hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim edhe me shtetasin K.B , i cili është shpallur në kërkim nga ana jonë, janë autorë të dyshuar të vjedhjeve të kryera në fshatrat e Igumenicës, Greqi.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë , në përfundim të veprimeve të para hetimore kanë bërë arrestimin e shtetasve të sipërpërmendur për veprën penale të "Vjedhjes, kryer në bashkëpunim", Prodhim dhe armëmbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit".

Po vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë Greke për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, ku dyshohet se është kryer nga personat e sipërpërmendur dhe shtetasi i shpallur në kërkim, si dhe për të identifikuar dhe kapur nëse ka ose jo persona të tjerë të përfshirë në këtë grup kriminal në fushën e vjedhjeve.
Shtuar më 27/07/2017, ora 15:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori