Rama: Së shpejti, mësimi i Informatikës që në klasë të parë

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me nxënësit e disa shkollave në Durrës , ku tha se qeveria ka futur në projekt-buxhetin e vitit 2022 një program për laboratorët në shkolla dhe zhvillimin e orëve të informatikës nga profesionistë dhe jo mësues të lëndëve të tjera që u japin fëmijëve këtë orë mësimore, si shtesë.

Rama gjithashtu u shpreh se së shpejti, mësimi i Informatikës do të fillojë që në klasë të parë.

“Sot ne vendosëm që në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm të adresojmë drejtpërdrejtë me financim çështjen e laboratorëve dhe çështjen e mësimit të informatikës. Nuk e di si është në shkollat tuaja, por mbase është rasti edhe këtu, e dini shumë mirë që në një pjesë të mirë të shkollave edhe vetë mësuesit e informatikave janë mësues matematike, ose fizike që bëjnë plotësim orësh. Ne do të fillojmë punën për të plotësuar laboratorët e shkollave, jo të gjitha përnjëherë se nuk bëhen të gjitha përnjëherë por me qëllimin që plotësimi i laboratorëve të mos jetë një objektiv afatgjatë, por afatshkurtër dhe për të ndryshuar komplet sistemin e të mësuarit të informatikës duke u dhënë mundësinë nxënësve që të marrin një mësim cilësor, një mësim që nuk është mekanik, teorik, por është praktik. Duke shfrytëzuar një mësim që e keni marrë nga periudha e mbylljes që na ka treguar që nuk është e domosdoshme që të jemi fizikisht në të njëjtën hapësirë për të ndarë dijet tona, apo për të ndarë opinionet tona apo për të ndarë shqetësimet tona. Që do të thotë se sistemin e dhënies së mësimit të Informatikës, që kemi dhe njëkohësisht objektivin ta nisim qysh në klasë të parë së shpejti, do ta bëjmë sistem të qendërzuar ku falë mundësisë së lidhjes në distancë nxënësit duke pasur mësuesin përkatës të pranishëm në klasë të marrin një pjesë të konsiderueshme të mësimeve nga lektorë të nivelit më të lartë”, tha Rama./albeu.com


Shtuar 19.10.2021 17:53