"Është e dhimbshme..." pedagogut, përlotet në mes të emisionit (VIDEO)
Teksa ishte i ftuar në studion e Fax News për të folur mbi ndërtimin e një shkolle në territorin e UBT-së, pedagogu Gjok Vuksani është treguar tejet i sinqertë dhe ka ngritur alarmin për gjendjen ku ndodhet arsimi i lartë.

Me zërin që i dridhej Vuksani u shpreh se edhe pse jemi në vitin 2019, pedagogët kanë ende frikë që të dalin dhe të protestojnë në mbrojtje të lirive të tyre, pasi iu rrezikohet vendi i punës.

I pyetur nga gazetarja Armela Ferko, Vuksani tha se vetëm kohët e fundit po e mendonte largimin nga vendi, për shkak të fyerjeve dhe baltës që hidhet në drejtim të pedagogëve, ndërsa postet më të larta mbahen nga njerëz të pashkollë.

“Ne paguhemi gati sa gjysma e asaj që paguhen pedagogët e Kosovës. Janë heronj për mua, a e di ti që një pedagog për të bërë një artikull jashte shtetit paguan deri 1 mijë e 500 euro. Unë kur vija nga Franca peshoja çantën që e kisha të mbushur me libra, që të mos shkonte më shumë se 25 kilogramë, dhe sot durojmë akuza nga njerëz që nuk e dimë as nëse e kanë mbaruar shkollën e lartë.

Ka një mungesë të skemës së modelit të vlerave, sot avancon banditi dhe më i forti, ai që ka tre Universite që i ka marrë me para. Ëshë e dhimbshme! Unë kam studiuar në Gjermani, në Francë dhe kam dashur që të jap kountributin tim në këtë vend, por tani kam menduar dhe largimin. Në administratë nuk shkon më i afti, nuk shkon studenti im që është me 10-ta, po shkojnë persona me njohje.

Ato e shohin hapësirën 100 mijë metër katror të Universitetit si biznes si ndërtim, se kujtojnë se Fakulteti është një godinë me 5 klasa, ata nuk e dinë se çfarë duhet të ketë! Njerëzit kanë frikë për bukën e gojës, kanë frikë për familjarët që kanë në punë. I gjithë pakti për Universitetin po bie mbi ne pedagogët, ne jemi delja e zezë e këtij vendi. Situata është me të vërtetë shumë e vështirë, jo pa qëllim që në krye të herës iu bëra thirrje ndërkombëtarëve që të na mbështesin për autononimë universitare.

Ti nuk mund të kesh autonomi në ligj, sa kohë që të cënojnë shtëpinë. Autonomia në thelb është pronë, unë dua të falenderoj dhe dekanin e Fakultetit Ekonomik në UBT që ka bërë disa deklarata shumë të forta publike. I bëj thirrje personaliteve që kanë dalë nga Universiteti ynë Bamir Topit, Ridvan Bodes, Jemin Gjanës, Lufter Xhuvelit, që të dalin dhe ata të thonë një fjalë për këtë që po ndodh. Ndoshta jam dhe pak i emocionuar, po ne do ta vazhdojmë rezistencën tonë”, u shpreh Vuksani.
Shtuar më 06/04/2019, ora 15:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori