Dialogu, Blinken zbulon çfarë i tha Kurtit dhe Vuçiçit në bisedën telefonike

Sekretari amerikan, Antony Blinken, të martën ka telefonuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Për këto takime njoftoi kreu i ekzekutivit të Kosovës dhe presidenca serbe.

Më pas ka raportuar edhe vetë sekretari amerikan përmes një postimi në Twitter.

Pos bisedave për raportet bilaterale, vend kyç në bisedë ka pasur edhe dialogu Kosovë-Serbi.

Blinken ka kërkuar që dialogut t’i shtohet dinamika për t’u arritur marrëveshja.

“Telefonat e mirë sot me kryeministrin e Kosovës, Albin kurtin. Diskutuam rëndësinë e partneritetit tonë dypalësh dhe përpjekjet e Kosovës drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike. E falënderova edhe për mbështetjen e palëkundur të Kosovës ndaj Ukrainës”, ka shkruar Bliknen në Twitter.

E pos për dialogun, me Vuçiqin sekretari ka folur edhe për qasjen që Beogradi e ka ndaj Kremlinit.

“Me Aleksandar Vuçiqin sot kisha një bisedë productive. Ne diskutuam rëndësinë e partneritetit tonë dypalësh dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Serbisë për integrimin evropian dhe paqen dhe stabilitetin rajonal. E urova edhe Serbinë për hapjen e të resë@SRBinUS në D.C”, ka shkruar Blinken në Twitter

Dialogu Kosovë-Serbi po vazhdon tash e më shumë se një dekadë.

Shumë marrëveshje nuk janë zbatuar nga Beogradi, por Serbia e akuzon Kosovën për mos-themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në anën tjetër Asociacioni ishte cilësuar antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese në vend.

Përkundër kësaj ka pasur presion ndaj palës kosovare për ta themeluar atë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë vazhdimisht se nuk themelon asociacion njëetnik. /Express