“Përgjaken” rrugët, 7 aksidente në 24 orët e fundit

Vijojnë të jenë të larta shifrat e aksidenteve rrugore në vendin tonë.

7 aksidente rrugore janë raportuar në 24 orët e fundit. Dita nisi me një bilanc tragjik. Gjate orëve të para të mëngjesit të djeshëm u regjistrua një aksident me dy viktima në në Tiranë. Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin në kryqëzimin e “21 Dhjetorit” dhe për pasojë ka ndërruar jetë një prej drejtuesve të mjeteve të përfshira në aksident dhe një prej pasagjerëve në automjet.

Viktima mbetën Luan Cenollari dhe fqinji i tij 69 vjeç, Ali Bejo. Prej gati 20 vitesh, Cenollari punonte si efektiv i Forcave Operacionale pranë Drejtorisë së Burgjev kurse jashtë orarit të shërbimit, në orët e vona të natës, 58-vjeçari punonte taksi për të siguruar më shumë të ardhura për familjen. Në orën 3:30 të mëngjesit ai u përplas për vdekje teksa po dërgonte në spital fqinjin i cili nuk ndihej mirë.

Po në mesnatë një tjetër aksident ka ndodhur në Elbasan. Në aksin rrugor Elbasan-Cërrik pranë fshatit Thanë, ABC raportoi se një automjet tip A Class humbi kontrollin duke u përplasur me bordurën. Fatmirësisht nuk pati viktima, por i lënduar mbeti shoferi i përfundoi në spital.

Rreth orës 8 të mëngjesit policia raportoi se një furgon është përplasur me trenin në Durrës. Ngjarja ndodhi në rrugën Asti gogoli, Shkozet, ku mbeti i plagosur shoferi i makinës.

Një tjetër efektiv policie është plagosur në aksident ditën e djeshme. Ky rast u shënua në Lezhë. Bëhet fjalë për efektivin e policisë rrugore Alban Tafili 31 vjeç. Policia raportoi se aksidenti ndodhi në aksin rrugor Lezhë-Mamurras, në afërsi të mbikalimit të Patokut, ku një makinë u përplas me patrullën e policisë, duke sjellë edhe lëndimin e efektivit. Ky i fundit u dërgua për mjekim në urgjencën e Laçit, me dëmtime të lehta.

Zhvendosemi në Tiranë aty ku u aksidentua edhe aktori i njohur Gazmend Paja. Ai po lëvizte me motor në rrugën e Kavajës kur u përplas nga një makinë. Burime zyrtare të policisë thonë se aktori mbeti i plagosur dhe u dërgua në spital për ndihmë mjekësore.

Më vonë një tjetër përplasje e fortë ka ndodhur në aksin rrugor që lidh superstradën me bregdetin e Tales në Lezhë. Në afërsi të kryqëzimit të Shënkollit pranë një biznesi një automjet tip “Benz” u përplas me një kamion që ishte i ngarkuar me materiale ndërtimi.

Ashtu sikurse nisi, dita e djeshme u mbyll po me aksident. Në aksin Fushë-Krujë-Vorë, ndodhi një aksident i trefishtë ku dy persona mbetën të plagosur. Në aksident janë përfshirë 3 automjete, fillimisht janë përplasur mjeti tip “Mercedes” me targe  AA 699 AR me “Pasatt-in” me targe AA 008 DB, ndërsa një qytetar i cili është afruar për të parë aksidentin i ka prerë rrugën një makine tip Renault AA 285 PX, e cila po udhëtonte në drejtim të Fushë-Krujës.

Në disa prej rasteve të mësipërshme, policia ka raportuar se shkak ka qenë shpejtësia, alkooli, dhe mosrespektimi i  rregullave të qarkullimit.

Theksojmë se shpejtësia tej normave të lejuara, ndryshimi i papritur i shpejtësisë, parakalimi i gabuar dhe humbja e kontrollit të mjeteve janë 4 nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore që ndodhin në Shqipëri në afro 10 vitet e fundit./albeu.com/


Shtuar 12.11.2021 09:10