Kovaçevski: Qeveria miratoi propozimin francez, konferenca e parë ndërqeveritare do të mbahet më 19 korrik

Pasi Kuvendi i votoi konkluzionet për propozimin francez, Qeveria në seancën e sotme pasdite miratoi propozimin e presidencës franceze.

“Ne morëm një vendim për të miratuar propozimin e presidencës franceze nga 30 qershori. Me këtë vendim fillojmë procesin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Me këtë seancë të qeverisë përfundojmë një tjetër hap objektivisht historik për vendin tonë”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili vendimin e bëri të ditur në një konferencë për media me anëtarët tjerë të Qeverisë.

Ai bëri të ditur se konferenca e parë ndërqeveritare do të mbahet të martën më 19 korrik në Bruksel.

“Sot kam nderin të shpall datën e konferencës së parë ndërqeveritare që do të mbahet më 19 korrik në Bruksel. Pastaj, Evropa do të jetë në Shkup, dhe Republika e Maqedonisë së Veriut në Bruksel me kapacitet të plotë, qasje në fonde, njohuri, parime të vërteta dhe më e rëndësishmja, vlerat për të cilat ne përpiqemi dhe dëshirojmë dhe e gjithë kjo bazuar në kombin dhe shtetin tonë, historinë dhe identitetin që do të shihet në të gjitha qendrat evropiane”, tha kryeministri duke bërë thirrje për unitet.