Shqipëria ngrin marrëdhëniet diplomatike me Iranin, Partia e Lirisë: Mbështesim qeverinë!

Partia e Lirisë ka reaguar për ngrirjen e marrëdhënieve diplomatike të vendit tonë me Iranin, si pasojë e sulmit kibernetik që Irani bëri ndaj Shqipërisë më 15 korrik të këtij viti.

Nëpërmjet një deklarate të zëvendës-kryetarit të kësaj partie, Agim Nesho, thuhet se Partia e Lirisë, e përkrah këtë masë ekstreme në marrëdhënien diplomatike mes dy vendeve, duke e quajtur të drejtë por pak të vonuar ndaj një vendi, që qëllimet e tij ndaj Shqipërisë i ka patur agresive dhe destabilizuese, burim kërcënimi të papranueshëm për sigurinë kombëtare.

Sakaq ai thekson se që qeveria shqiptare duhet të jetë më e qartë në qëndrimet e saj të politikës së jashtme, në bashkëpunim me aleatët tanë strategjik, BE dhe SHBA, sidomos në kushtet e sotme të cënimit të rendit ndërkombëtar nga fuqi sfiduese si Rusia, Irani, etj., për të mos lejuar shtrirjen e influencave të tyre nëpërmjet projekteve destabilizuese rajonale, qarkullimit pakufizim të shtetasve nga këto vende jo-miqësore, që realizojnë interesa anti-perëndimore.