1.6 ton kokainë, kapet në Shkodër me çanta me para bosi i grupit që mbyti Europën me drogë
Policia e Shtetit dhe Prokuroria e KrimeveRënda kanë arrestuar një person të kërkuar në të gjithë Europën pasi kryesonte grupin e trafikantëve që kishin mbushur kontinentin me kokainë.

Mësohet se grupi i drejtuar nga 51 vjeçari Astrit Beqiri në Shkodër kishte trafikuar 1.6 ton kokainë në Europë gjatë viteve të fundit.

I arrestuari sipas policisë është personi që drejton grupin, ndaj të cilit është kryer një operacion i gjerë në të gjithë Europën gjatë dy ditëve të fundit.

Gjatë arrestimit të tij janë sekuestruar sasi të mëdha parash dhe lëndë narkotike.

Pjesë nga njoftimi i policisë
Operacioni i shtrirë në Danimarkë, Suedi, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Slloveni dhe Shqipëri.

Autoritetet daneze të hetimit si vend lider i këtij hetimi, bashkëpunuan me Prokurorinë e KrimeveRënda në Tiranë dhe Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, që në fazën e hetimit proaktiv, i cili kishte në fokus goditjen e një grupi kriminal që vepronte në shtetet e mësipërme, në fushën e trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë, etj.
Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, konkretisht Drejtoria Hetimore Qendrore, në bashkëpunim me Prokurorinë e KrimeveRënda Tiranë, pas shkëmbimit të informacioneve me autoritetet daneze, regjistruan procedimin penal në vitin 2019.

Sot, në koordinim të plotë me EUROPOL, autoritet e hetimit të Danimarkës, ato të Suedisë, Gjermanisë, Holandës, Belgjikës, Sllovenisë dhe Shqipërisë, realizuan goditjen në një kohë, të këtij grupi kriminal.

Është dokumentuar se ky grup kriminal ka trafikuar mbi 1 650 kg kokainë dhe heroinë brenda vendeve të BE-së.

Si rezultat i operacionit u arrestuan mbi 42 persona në të gjitha vendet ku ishte shtrirë ky hetim.

U sekuestruan 40 kg kokainë, u kontrolluan me dhjetëra ambiente, u sekuestruan mbi 600 mijë euro, arme zjarri, granata, disa automjete dhe objekte te ndryshme, etj.

Në Shqipëri gjatë fazës operacionale u përfshinë Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, Tiranë dhe Korçë, ku në bashkëpunim me Prokurorinë e KrimeveRënda, mëngjesin e sotëm në Shkodër, u bë arrestimi i shtetasit A. B., 51 vjeç, banues në Shkodër, me rol aktiv (kryetar i grupit kriminal), për veprat penale: "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, "Grupi i strukturuar kriminal" dhe "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

U shpall në kërkim një shtetas tjetër, por për arsye hetimi, nuk bëhen të ditura gjeneralitetet.

U sekuestruan në Shqipëri rreth 200 mijë euro, 10 milion lekë, 7 automjete, 1 biznes me vlerë investimi mbi 1 milion euro.

EUROPOL dhe autoritetet daneze, kanë falënderuar Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e KrimeveRënda, për profesionalizmin e treguar, rolin aktiv dhe shumë të domosdoshëm në goditjen e këtij grupi të rrezikshëm kriminal.
Shtuar më 26/06/2019, ora 17:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori