G-7 nuk po e kupton ende kërcënimin e madh që paraqet Kina për rendin global aktual

Nga John Bolton “19 Forty Five

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Të shtunën e kaluar, krerët e vendeve të G-7-ës që u takuan në Hiroshima, publikuan një komunikatë të përbashkët prej 40 faqesh që trajtonte ndër të tjera marrëdhëniet e tyre

me Kinën. Komunikata u shpall si një dëshmi e unitetit dhe forcës së G-7-ës kundër luftës ekonomike të Pekinit.

Por gjuha e përdorur reflekton rrëmujë dhe mungesë koherence. Një shembull tipik është paragrafi ku përmendet Tajvani. Ai është në thelb i pandryshuar nga deklaratat e fundit të G-7-ës, duke injoruar kërcënimin në rritje të shpejtë të Kinës gjatë së njëjtës periudhë.

Po ashtu, G-7-a i kërkoi përmes kësaj komunikate Kinës që të dialogojë drejtpërdrejt me Ukrainën, por iu referua vetëm një paqeje “të bazuar tek integriteti territorial”, dhe jo rivendosjes së plotë të sovranitetit të Ukrainës si dhe integritetit të saj territorial, diçka që të gjithë anëtarët e NATO-s pretendojnë se e mbështesin.

Duke iu drejtuar paralelizmave mbi Tajvanin dhe Ukrainën, liderët e Perëndimit bëjnë pikërisht të kundërtën e asaj që synojnë: ata zbulojnë dobësinë dhe jo unitetin dhe forcën. Komunikata e nxjerrë në fund të samitit është më e dobëta dhe më pak koherentja për marrëdhëniet ekonomike të G-7-ës me Kinën, pikërisht në frontin ku po zhvillohen përpjekjet aktuale kineze për hegjemoninë rajonale dhe globale.

Dhe në vend se të përballet drejtpërdrejt me agresionin ekonomik të Pekinit, dokumenti i Hiroshimës mbështetet tek një slogan bosh. Ajo miraton moton e shpalosur fillimisht nga Bashkimi Evropian dhe e miratuar shpejt nga Shtëpia e Bardhë e drejtuar nga Joe Biden.

Slogani thotë se vendet e G-7-ës favorizojnë “reduktimin e rreziqeve, dhe jo shkëputjen” e ekonomive të tyre nga Kina. Ky term maskon në fakt mosgatishmërinë e qartë të Bashkimit Evropian për ta pranuar kërcënimin që vjen nga Pekini, po ashtu edhe mosmarrëveshjet midis vetë anëtarëve të G-7-ës.

Ajo pasqyron jo aq dështimin e udhëheqjes në sjelljen e evropianëve të mbetur, por kolapsin e vendosmërisë së SHBA-së në raport me këtë çështje. Komunikata e G-7-ës nxiton të theksojë se “ne nuk po shkëputemi apo po izolohemi”.

Në fakt, koncepti i “shkëputjes” ka qenë gjithnjë një eufemizëm që nënkupton pothuajse ndërprerjen e biznesit midis Kinës dhe Perëndimit. I krijuar në Amerikë nga ata që i mbiçmojnë marrëdhëniet ekonomike me Pekinin, ky term synonte të fuste në panik bizneset dhe politikë-bërësit që kishin filluar të zgjoheshin ndaj rishfaqjes së rrezikut të rëndësishëm politik ndërkombëtar.

Por kuptimi i saj nuk ka qenë asnjëherë i saktë. “Shkëputja” nuk u sugjerua ndonjëherë seriozisht, në kuptimin e një politike industriale të ditëve të mëvonshme të mandatuar nga qeveria. Një qasje e tillë, nuk kishte më shumë gjasa të kishte sukses sesa politikat e tjera industriale, të cilat mbështeten që të gjitha tek supozimi se politikanët dhe burokratët e qeverisë janë më të aftë sesa tregjet në gjetjen e zgjedhjeve ekonomike.

Nivelet ekzistuese të tregtisë dhe investimeve midis Perëndimit global dhe Kinës janë për mirë a për keq shumë komplekse, për të besuar se vendimmarrja e qeverisë nga lart-poshtë do të çonte në ndonjë gjë tjetër përveç konfuzionit dhe çrregullimit.

Aty ku shkëputja e drejtuar nga qeveria është e nevojshme dhe duhet të përshpejtohet, është vendi ku mund të eliminohen varësia nga mallrat dhe shërbimet që ndikojnë ndjeshëm në sigurinë kombëtare të SHBA-së. Administratat Trump dhe Biden kanë vendosur sanksione të rëndësishme ndaj Kinës në fushën e teknologjisë së lartë.

Evropa është shumë prapa në këtë aspekt. Franca dhe Gjermania e shohin ende Kinën pothuajse ekskluzivisht përmes një prizmi ekonomik, siç konfirmohet vazhdimisht nga deklaratat e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron.

Edhe Britania e Madhe është e përçarë, me një debat të rëndësishëm midis konservatorëve në parlament dhe një Ten Downing Street miqësor me Kinën. Boshllëku i motos “reduktim i rrezikut, dhe jo shkëputje”, është më i dukshëm në nivelin e kompanive të veçanta, të cilat nuk kanë asnjë mënyrë praktike për të tallur pa shkëputje.

Ato ose duhet të reduktojnë investimet kapitale, ose të paktën të mos i rrisin ato; të ruajnë me vështirësi pronësinë intelektuale (në rrezik nga dekadat e piraterisë kineze); të zvogëlojë varësinë e zinxhirit të furnizimit; të gjejnë tregje të tjera; apo të marrin masa të tjera mbrojtëse, në varësi të rrethanave ku gjendet.

Shumë kompani janë tashmë shumë të angazhuara në zvogëlimin apo mbrojtjen e rreziqeve të tyre, por të tjerat jo. Këto të fundit në fund mund të paguajnë koston më të madhe ekonomik për mungesën e kujdesit të tyre. Në kohën e duhur, shuma e kujdesit ndaj sigurisë kombëtare dhe e vendimeve ndaj rrezikut politik të bizneseve, do të përcaktojnë shkallën e shkëputjes, jo kundërvënien e rreme që na paraqet G-7-a.

Është e qartë se Kina është tashmë shumë larg shkëputjes ekonomike nga Perëndimi. Ajo po përgatitet për konfliktin e ardhshëm ushtarak duke reduktuar varësinë e saj. Libri “Lufta tjetër e Madhe” e Ross Babbage, tregon se çfarë po bënte Pekini ndërsa ne flinim.

Babbage shpjegon 4 dekada të politikës së Kinës, të ashtuquajturin qarkullim të dyfishtë, ose “dy tregje, dy burime”. “Tregu i brendshëm i Pekinit ishte një burim për të mbrojtur dhe izoluar, ndërsa tregjet e huaja duhej të depërtoheshin dhe të shfrytëzoheshin”. Ai citon përfundimin e McKinsey se “Kina e ka reduktuar ekspozimin e saj ndaj botës, ndërsa është rritur ekspozimi i botës ndaj Kinës”.

Megjithatë, Kina ishte larg të pasurit sukses në izolimin e vetes. Varësia e saj nga importet e mëdha të energjisë dhe e lëndëve të tjera të para mbetet një dobësi kritike. Ajo është shumë e vështirë për t’u korrigjuar në të ardhmen e parashikueshme, duke pasur parasysh mungesën e burimeve vendase minerale dhe hidrokarbureve.

Perëndimi global po kupton vetëm me vonesë përmasat e vjedhjes së pronës intelektuale nga Kina, proteksionizmit masiv dhe subvencioneve qeveritare. Ndërsa po largohet epoka e turbullt e globalizimit, rreziku politik është rishfaqur si një faktor qendror në biznesin ndërkombëtar, veçanërisht në rastin e Kinës.

Rreziku politik nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë i kufizuar në skajet ekonomike të botës. Nën moton e Deng Xiaoping “Fshihni aftësitë tuaja dhe prisni kohën tuaj”, Pekini arriti të bindë shumë politikanë dhe biznese perëndimorë me fantazinë se Kina ishte pak më shumë se një lojë e pastër ekonomike.

Por ky iluzion është rrëzuar dhe sot janë gjithnjë e më të dukshme dëmet dhe kërcënimet e Kinës në aspektin politik, ekonomik dhe ushtarak. Takimet e G-7-ës vijnë dhe shkojnë, dhe deklaratat e udhëheqësve të tyre zbehen shumë shpejt. Por përshtypja që nuk do të zbehet pas samitit të Hiroshimës, me siguri jo nga mendjet e politikë-bërësve në Pekin, është se demokracitë e mëdha industriale janë ende të ndara dhe të pasigurta se si t’i kundërvihen luftës ekonomike të Kinës ndaj tyre. Konfuzioni global i Perëndimit vetëm sa po inkurajon sjelljen luftarake të Xi Jinping. /albeu.com

Shënim:John R. Bolton, shërbeu si këshilltar për sigurinë kombëtare nën presidentin Donald J.Trump.


Shtuar 26.05.2023 22:07