"Doing Business", Maqedonia e 23-ta (VIDEO)
Maqedonia gjendet në vendin e 23-të nga gjithsejtë 185 shtete në raportin e Bankës Botërore për bërjen e biznesit, apo "Doing Business". Vendi është lider në rajon për bërjen e biznesit, u lëvduan autoritetet maqedonase. Shteti është radhitur para Sllovenisë, Malit të Zi, Bullgarisë, Turqisë, Rumanisë, Greqisë, Kroacisë, Shqipërisë, Kosovës, Serbisë dhe Bosnjës.

"Vendi i 23-të për Maqedonisë është në rangun e vendeve që na rrethojnë dhe që janë shumë më të zhvilluara se Maqedonia. Për shembull, para nesh në vendin e 20 është Gjermania, ndërsa në vendin 24, pas nesh është Japonia. Pra, ne me vendin e 23-të në botë jemi ranguar në grupin e vendeve që ekonomikisht janë shumë më të zhvilluara, por sipas kushteve për bërjen e biznesit, është evidente që Maqedonia i ka arritur standardet e atyre vendeve", tha Zoran Stavrevski, ministër i financave.
Më pas, Maqedonia gjendet në vendin e pestë në botë sipas reformave të përgjithshme që janë bërë nga viti 2005-2012. Vitin e kaluar ngjitje më e madhe është bërë me procedurat e përshpejtuara për kyçjen e energjisë elektrike, indikator sipas të cilit vitin e kaluar ishim të radhitur shumë keq. Në këtë fushë ngritja është bërë për 20 pozita dhe tani vendi ndodhet në vendin e 101.

Maqedonia disa vite me radhë ishte si shtet reformator sipas "Doing Business", gjegjësisht kishim përparime shumë të mëdha. Sipas Stavrevskit, për shkak të reformave të tanishme, është shumë më vështirë të behët ndonjë ngritje më e madhe, por ka ende hapësirë për përmirësime.

"Maqedonia me vetë atë që e mbajti vendin e 23-të, që thuajse është vend i pandryshuar nga viti i kaluar, tregon që edhe këtë vit është vlerësuar me notë të lartë në pjesën e përmirësimit të klimës së biznesit", u shpreh ministri i financave, Zoran Stavrevski.

Sipas raportit, vitin e kaluar përparim më të madh ka shënuar Polonia. Ajo e ka lehtësuar regjistrimin e pronësisë, pagesën e tatimeve, përmbushjen e marrëveshjeve dhe zgjidhjen e problemeve me paaftësinë pagesore.

Megjithatë, në vendin e parë në botë ku më lehtë bëhet biznes, tash 7 vite me radhë, është Singapori. Më pas vijojnë, Hong Kongu, Zelanda e Re, SHBA dhe Danimarka. /albeu.com/
Shtuar më 23/10/2012, ora 17:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori