ISIS merr përgjegjësinë për sulmin në Paris, ja tmerri që panë dëshmitarët (VIDEO)
Pëlqej
Abonohu për lajmet me e-mail:
E-maili juaj:      Tani, kontrolloni e-mailin tuaj dhe konfirmoni abonimin!
Një sulm terrorist ka tronditur sërish Parisin. Një polic u vra dhe dy të tjerë u plagosën nga një person i armatosur i cili u qëllua për vdekje.

Sipas medieve, mësohet se sulmuesi i ka qëlluar qëllimisht oficerët dhe ishte i njohur nga shërbimet e sigurisë.

Sulmin e ka marrë përsipër grupi militant Shteti i vetëshpallur Islamik, nga ku thanë se një prej "luftëtarëve" të tij ka kryer sulmin, raporton "Reuters".

"Ekzekutuesi i sulmit në zonën Champs-Elysees, në qendër të Parisit, është Abu Jusuf al-Beljiki dhe ai është një luftëtar i Shtetit Islamik", tha agjencia e lajmeve Amaq, e lidhur me grupin ekstremist.

Prokurori i Parisit, Francois Molins, më vonë tha se identiteti i sulmuesit është i njohur dhe është verifikuar. "Nuk do ta zbuloj atë, sepse hetimet dhe bastisjet tashmë janë duke u zhvilluar", tha Molins.

Personi i armatosur që hapi zjarr ndaj policëve në Paris, përdori një "armë lufte" për të kryer sulmin e tij, tha një zëdhënës i qeverisë franceze.

Ngjarja

Sulmi ndodhi jashtë një dyqani në Champs-Elysees, një nga rrugët kryesore tregtare të kryeqytetit francez dhe një zonë e mbushur me turistë, raporton "Skynews".

Zëdhënësja e policisë së Parisit, Johanna Primevert tha se sulmuesi kishte në shënjestër policinë që ruante zonën pranë stacionit të metrosë Franklin Roosevelt të enjten mbrëma.

Një dëshmitar i identifikuar thjesht si Ines, i tha stacionit televiziv francez "BFM" se dëgjoi të shtëna, pa trupin e një njeriu të shtrirë në tokë dhe zonën që u evakuua shpejt nga policia.

Një dëshmitar tjetër i tha medias lokale: "Papritmas të gjithë u ngritën dhe filluan të vrapojnë, nuk kishim as kohë për të kuptuar se çfarë po ndodhte. Dëgjuam një apo dy të shtëna, vrapuam. Me të vërtetë nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte, ne u zhvendosëm në rrugë, policia na tha të lëvizim të largoheshim.

Nuk e kam parë nëse ata ishin dy, tre ose vetëm një sulmues. Ne thjesht vrapuam.

Dëgjuam dy të shtëna me armë. Të gjithë njerëzit që ishin ulur në tarracë u ngritën dhe vraponin, karriget po rrëzoheshin" tha ai.

Personi i armatosur që kreu sulm të dyshuar terrorist në Paris hapi zjarr me një armë Kalashnikov, tha një tjetër = dëshmitar.

Franca ka pasur gjendje të jashtëzakonshme që nga viti 2015 dhe ka pësuar një valë sulmesh terroriste që kanë vrarë më shumë se 230 vetë gjatë dy viteve të fundit. /albeu.com/
Shtuar më 21/04/2017, ora 08:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori