Zhvatja e bazave detare në Sarandë dhe Porto Romano , si u cënua siguria kombëtare dhe ajo e NATO-s, a do të hetojë SPAK edhe në këtë drejtim?

SPAK ka nisur hetimet për bazën detare në portin e Limionit si edhe për zhvatjen e ish-depos së minave në Porto Romano , pasi u cënua siguria kombëtare e Shqipërisë dhe e aleancës së NATO-s

Nga AlbEu.com

Dy prokurori, ajo e Durrësit si edhe SPAK janë duke hetuar në lidhje me zhvatjen e pronave të ushtrisë nga kompanitë vendase për qëllimë tërësisht private duke cënuar në mënyrë të drejtpërdrejtë sigurinë kombëtare.

Ish-depo e minave detare ne Porto Romano ku po kryhen punime pa leje nga koncensionari Porto RBM
Ish-depo e minave detare ne Porto Romano ku po kryhen punime pa leje nga koncensionari Porto RBM

Pavarësisht se shteti shqiptar është mësuar që të tregohet i butë ndaj oligarkëve që kanë përvetësuar gjithçka publike gjatë këtyre 20 viteve të fundit, duket se zullumi është këputur pikërisht kur duart e zgjatura të tyre kanë prekur në pronat e ushtrisë, gjë e cila duket se ka alarmuar edhe partnerët euroatlantik.

Në kushtet kur balancat e fuqisë dhe sigurisë kanë ndryshuar shumë në Europë pas luftës në Ukrainë, prekja e bazave të një ushtrie të NATO-s siç është ajo shqiptare duket se ka ndezur sinjalet e alarmit te ndërkombëtarët si edhe vetë SPAK, të cilët kanë marrë shumë seriozisht këtë çështje.

Lexo edhe: Zaptimi i pronave të ushtrisë, SPAK nis hetimet edhe për Porto Romanon: Si u gllabërua ish-depoja e minave

Jo më kot, SPAK u fut furishë në çështjet e hetimit të zhvatjes së ish-depos së minave detare të ushtrisë në Porto Romano pavarësisht se më herët vetë ministria e Mbrojtjes kishte bërë tre padi penale në Prokurorinë e Durrësit.

Kur futet SPAK në lojë duket se gjërat kanë nisur të rrokullisen pa kthim pas për ata që kanë guxuar të prekin edhe bazat e ushtrive të NATO-s. Ashtu siç kishte paralajmëruar edhe një ambasador i rendësishëm perëndimor në një takim me gazetarët, priten shumë ndryshime pas zgjedhjeve lokale në Shqipëri sa i përket çështjeve “non grata” dhe duket se fshesa do të shtrihet edhe te biznesmenët krahas politikanëve të korruptuar.

Çfarë po ndodh me bazat detare

Si me magji dhe aspak çuditshëm, gjykata speciale (GJKKO)  SPAK kanë ndërhyrë fuqishëm gjatë muajit të fundit kundër përvetësimit të tokës në pronësi të ushtrisë shqiptare.

Baza e Limionit

Ishte fillimisht GJKKO, e cila sekuestroi bazën e Limionit në Sarandë, e cila i ishte dhënë bashkimit të kompanive Kastrati Group dhe Edil Al për të ndërtuar një resort turistik dhe një port.

Lexo edhe: Zaptimi i pronave të ushtrisë, kush e ka radhën për në SPAK pas Xhaçkës dhe Kollçakut? Deri ku do të shkojë bisturia e prokurorëve pas cënimit të sigurisë së NATO-s?

Siç ka raportuar më herët AlbEu, bëhet fjalë për një hapësirë gati 260 mijë metër katror, të cilat hiqen nga përdorimi i Forcës Detare dhe jepen për shfrytëzim për qëllime private. Sekuestroja e GJKKO-së do të vijojë deri në përfundimin e hetimeve nga SPAK. Prokurorët e SPAK kanë marrë deri më tani në pyetje ministren Olta Xhaçka që më herët ka patur detyren e ministres së Mbrojtjes, si edhe ish-kreun e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bardhyll Kollçaku. Pritet që SPAK të mos mjaftohet vetëm me këta të dy, por të shtrijë hetimet edhe te aktorët e tjerë.

Porto Romano

Situata duket edhe me flagrante sa i përket Porto Romanos, pasi pa asnjë leje apo vendim të institucioneve, koncensionari “Porti RMB”, në pronësi të kompanive “Kastrati Group” dhe “Europetrol Durrës Albania” janë zgjeruar në drejtim të territorit të ish-depos së minave detare që ndodhej ngjitur me pronën e marrë me koncension nga kompanitë në fjalë.

Fillimisht kjo alarmoi Ministrinë e Mbrojtjes, e cila bëri tre padi në Prokurinë e Durrësit siaps ministrit Niko Peleshi. Por, kur duket se prokuroria e Durrësit nuk po “çante” dot më përballë pushtetit politik dhe ekonomik, ndërhyri SPAK duke nisur vetë hetimet.

Ndërkohë, nuk është hera e parë që Porto Romano është nën radarin e njësive të inteligjencës perëndimore nisur edhe për shkak të “pehlivanllëqëve” që bëhen herë pas here me naftë ruse dhe libiane kontrabandë.

Ashtu si edhe për Sarandën, mbetet për t’u pare se deri ku do të shtrihen hetimet e SPAK dhe kë do të gjejnë përgjegjës për këtë shkelje të sigurisë kombëtare si edhe të vetë NATO-s duke qenë se vendi është pjesë e një aleance politiko-ushtarake përballë një agresori si Rusia. /AlbEu.com