"Dashuri në kohërat e kolerës", regjisori rrëfen si u njoh me Majlinda Bregun (VIDEO)
Regjisori Namik Ajazi, bashkëshorti i Majlinda Bregut, në një intervistë te “Rudina”, ku foli për filmin e tij “Amanet” i cili fitoi vendin e parë në Festivalin e Filmit në Salerno, u ndal në një moment edhe te historia e dashurisë me Majlinda Bregun.

Regjisori tregoi se shkak ishte bërë kolera.

“Jemi njohur në TVSH. Ishte një moment në vitin 1994 kur u fol për një epidemi kolere. Unë vij nga Telenorba për të xhiruar diçka, ndërsa Majlinda asokohe bashkëpunonte me televizionin. Ishte në vitin e fundit të Fakultetit të Shkencave Sociale dhe punonte si gazetare dhe spikere lajmesh në orën 20:00. Kështu që bëmë një udhëtim bashkë për të xhiruar kronikën. Kjo u bë shkaku i njohjes, pas të cilës ne filluam të takoheshim. [Dashuri në kohërat e kolerës] tamam, kështu duhet thënë.”

Më pas, Ajazi tregoi se vazhduan të bashkëpunonin me njëri-tjetrin, deri në vitin 2005, kur Bregu iu përkushtua politikës.

“Bashkëpunuam bashkë për disa cikle të tjera në televizionin shqiptar, si ‘Jetë e shitur në trotuare’, ‘Prostitucioni’ dhe i fundit ishte ‘Dasma tjetër’ në 2005-n, pas së cilës ajo u fut në politikë dhe u bë deputete e më pas ministre. Këtu filluan të ndahen gjërat. Deri në atë kohë, Kejdës i thoshin që ‘është vajza e Nikos’, që pas asaj kohe thuhet ‘e bija e Majlinda Bregut’; babai nuk është” u shpreh ai me humor.

Në përfundim të intervistës, Ajazi tregoi edhe për mënyrën si po e menaxhojnë përditshmërinë e tyre tani që Bregu jeton 25 ditë të muajit jashtë vendit për shkak të punës. Për momentin, ajo jeton dhe punon në Sarajevë, pasi fitoi garën për t’u zgjedhur Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, institucion që ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit dhe integrimit europian të vendeve të Europës Juglindore.
Shtuar më 21/12/2019, ora 15:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori