Anglia në finale Evropiani për herë të parë në histori, këto janë të fshehtat e Southgate që sollën suksesin

Anglia është rikthyer që të luajë një finale pas shumë vitesh pritje të gjatë, ndërsa gjithë suksesi i atribuohet trajnerit Southgate. Cili ishte çelësi i suksesit për mbërritjen deri në këtë pikë? Padyshim që tekniku i “tre luanëve” është lavdëruar për mënyrën sesi po arrin që të menaxhojë grupin e futbollistëve.

Një listë yjesh ndodhet në stolin e Anglisë, por asnjë konflikt nuk ka shpërthyer si me Kombëtaret e tjera. Në fundin e çdo ndeshje është trajneri Southgate që zgjedh të falënderoj edhe gjithë futbollistët e stolit duke i rikujtuar se nuk janë aktivizuar pasi nuk ishin të përshtatshëm për kundërshtarin, e jo që i mungojnë vlerat në krahasim me të tjerët.

Kjo në fakt është vetëm një veçori dalluese e punës së Southgate, ndërsa formula fituese e tij ka sekrete të vërteta. Këtu dalim në formimin e Bordit Këshillues që ka nisur që në 2016, ku anëtarët që janë pjesë e bëjnë punën pa marrë pagesë te veçantë. Në këtë bord bënë pjesë trajneri i çiklizmit, Dave Brailsford, koloneli Lucy Giles, çiklisti Kath Grainger, sipërmarrësi i teknologjisë Manoj Badale dhe një trajner i regbit, Stuart. Natyrisht pyetja që vjen menjëherë ndërmend: “Çfarë duan këta persona me Anglinë e futbollit?”.

Në momentin kur ky grup nisi punën, të shumta ishin artikujt që sulmonin Southgate për zgjedhjen e bërë me persona që vinin tërësisht nga jashtë futbollit. Arsyeja e vërtetë është fakti se do të zgjeroheshin njohurit mbi përgatitjen, dietën, të dhënat e ndryshme, ana psikologjike dhe shumë pjesë të tjera. Pra ishte mundësia për të marrë mendime të ndryshme për mënyrën sesi mund të mbërrihet në pikën e suksesit, nga persona që e shohin mbërritjen në finish me këndvështrime që nuk ngjasojnë nga njëra-tjetra, por mund të jenë plotësuese. “Më pëlqen që të dëgjoj njerëz që dinë gjëra që nuk i di. Kështu mëson”, thotë Southgate.

Kjo është saktësisht formula e suksesit të vërtetë. Zakonisht njerëzit janë të prirur që në botën e biznesit dhe në jetën e tyre në tërësi të mbajnë afër persona që ndajnë të njëjtat mendime, pra dashuria për të njëjtën. Fenomeni i “Google” e tregoi një dekadë më parë me inovacionin në rënie, pavarësisht se po punësoheshin inxhinierët më të mirë të softuerit. Më pas u arrit në konkluzionin se njerëzit që po i jepej e drejta për të punuar vinin nga universitete të ngjashme, duke marrë të njëjtat mësime dhe nga profesorë që jepnin të njëjtat leksione. Pra le të themi se bëhej fjalë për “klone”. Vetëm në momentin që horizonti u zgjerua për të parë përtej në universitete të ndryshme, gjërat nisën që të ndryshonin për mirë. E në këtë linjë mendimi edhe Gareth Southgate është i hapur dhe i interesuar për të marrë mendimin ndryshe që vjen nga shkolla e formime të ndryshme, për ta shkrirë në linjën e vetme që të dërgojë Anglinë drejt suksesit të madh.


Shtuar 11.07.2021 12:08