FOTO LAJM/ Konfirmohet një i vdekur në kampin e MEK. MB: Muxhahedinët shkelën marrëveshjen

Është konfirmuar një person i vdekur brenda kampit të MEK në Manzë.

Mësohet se bëhet fjalë për 65 vjeçarin Ali Mostashari , i cili ka patur probleme me zemrën dhe paraprakisht dyshohet se ka ndërruar jetë për shkak të një ataku kardiak.

Policia e Shtetit ka ndërhyrë në kampin e MEK pas një urdhri të GJKKO-së në kuadër të një operacioni në kuadër të sigurisë kibernetike duke kryer kontrolle në të gjithë territorin e kampit.

Mësohet se gjatë kontrolleve, muxhahedinët kanë rezistuar ndaj policisë dhe tentativave të forcave të rendit për të marrë dokumentacionin si edhe disa kompjuterë, të cilët dyshohet se janë përdorur për të kryer veprime anti-ligjore.

Policia nuk ka konfirmuar zyrtarisht për një viktimë, por ka rrjedhur informacione nëpër media të ndryshme për të vdekurin duke theksuar se nuk ka patur dhunë nga forcat e rendit.

Në foton e mësipërme të siguruar nga AlbEu duket muxhahedini teksa trajtohej në spital duke ndërruar jetë më pas.

Në një reagim të mëvonshëm, Ministria e Brendshme ka theksuar se muxhahedinët kanë thyer marrëveshjen me shtetin shqiptar sipas të cilës ata do të ishin këtu për qëllime humanitare dhe jo të zhvillonin aktivitete të tjera. /albeu.com


Shtuar 20.06.2023 13:15