Para takimit me Kurtin në Bruksel, Vuçiç takohet me ambasadoren kineze, çfarë u fol

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të takohen sot në Bruksel me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Stoltenberg do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë, ku do të diskutohen çështjet e pazgjidhura midis dy vendeve.

Takimet në selinë e NATO-s vijnë një ditë para se Kurti dhe Vuçiç, po në Bruksel, do të takohen për të vazhduar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Por para se të nisej për në Bruksel, presidenti serb është takuar me ambasadoren e Kinës në Beograd, Chen Bo.

Kujtojmë se Kina bën pjesë në vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, shkruan abcnews.al.

Aleksandër Vuçiç i ka thënë ambasadores kineze se pret nga partnerët perëndimorë të ndikojnë mbi Prishtinën, raportojnë mediet serbe.

“Për nëntë vjet nuk u ka shkuar mendja të formojnë Asociacionin e Komunave Serbe. Presim që BE-ja dhe partnerët perëndimorë të ndikojnë në Prishtinë që të përmbushë me seriozitet dhe përgjegjësi obligimet e saj, siç ka bërë Serbia”, ka thënë Vuçiç.

Vuçiç ka theksuar se ka kërkuar që ambasadorja Chen të takohet sot për ta njoftuar atë me situatën rreth Kosovës para takimit në Bruksel në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Nga ana e saj ambasadorja Chen ka deklaruar se “Kina nuk do ta njohë Kosovën”, përkundër se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka dhënë verdiktin e saj, pavarësia e Kosovës nuk ka qenë e njëanshme.

“Kina i kupton dhe i mbështet të gjitha kërkesat legjitime të palës serbe, përfshirë ato në lidhje me mbrojtjen e të drejtave ligjore të popullit serb në Kosovë”, ka thënë ambasadorja kineze.


Shtuar 17.08.2022 11:56