Banda e shqiptarëve, tmerri i turistëve në Spanjë, grabitën edhe një princeshë
Gjatë paraditës informuam se pesë shqiptarë ishin arrestuar nga policia spanjolle si pjesë e një bande që grabiste shtëpitë e të pasurve dhe turistët.

Të dhënat më të fundit nga policia spanjolle konfirmojnë se pre e grabitësve ka rënë edhe princesha nga Jordania, dyshohet se asaj i kanë vjedhur rreth 45 mije paund. Kjo është arsyeja se përse aksioni i policisë kodohej “Operacioni Mbretëror”.

Shqiptarët e vënë në pranga janë: R.R. 26-vjeç; A.S. 22-vjeç; M.L., 23-vjeç; D.C., 25-vjeç dhe M.M., 25-vjeç. Mes shqiptarëve të arrestuar, tre janë burra dhe dy gra. Në pranga është vënë edhe një rumun: 33-vjeçari D.A.G.

Ata u arrestuan pas një shkëmbimi zjarri me forcat e policisë pasi u kapën në flagrancë në një ndërtesë në Marbella.
Hetimi për të shkatërruar bandën e grabitësve nisi në korrik të këtij viti. Për 4 muaj, banda ka kryer rreth 100 vjedhje në provincat e Madridit, Salamanca, Burgos, Cantabria, Leon, Valladolid dhe Vitoria.

Sipas hetuesve, rreth 1/3 e 73 viktimave të bandës shqiptare ishin britanikë. Shumë prej tyre ishin me pushime dhe po qëndronin në shtëpitë luksoze në Nueva Andalucia afër Marbellas, shkruan “Express”.

Policia gjeti 20 automjete të vjedhura të cilat iu kthyen pronarëve të ligjshëm, si dhe 4 ora projektuese, unaza diamanti si dhe mbi 9 mijë paund. /Albeu.com/

Shtuar më 04/11/2016, ora 21:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori