Diktati ndaj udhëheqësve afrikanë nga Rusia, rrezikon ta përmbytë Evropën me emigrantë

Nga Stepan Stepanenko “Kyiv Post

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Duke joshur udhëheqës të ndryshëm afrikanë, Rusia ka krijuar miqësi të reja dhe është rigjallëruar në kontinent që nga fillimi i pushtimit të saj në shkallë të plotë të Ukrainës.

Edhe pse shihet nga shumë njerëz si një përpjekje e fundit për të ruajtur një lloj imazhi të një fuqie të madhe në skenën ndërkombëtare, qëndrime të tilla shpërfillëse ndaj potencialit të Rusisë për të shkaktuar dëme në kufijtë e BE-së, sidomos në mes të luftës në Ukrainë, nuk duhet të anashkalohen.

Një shembull i qartë është kriza e vazhdueshme në Niger. Marrëdhëniet e ngushta të Rusisë me disa shtete afrikane, dolën në qendër të vëmendjes për shkak të përpjekjes së papritur nga ana e liderëve afrikanë për të propozuar një rrugë drejt paqes midis Kremlinit dhe Ukrainës.

Dhe ndërsa pas udhëtimeve të tyre në Kiev dhe Moskë, u shfaqën në media raportet mbi bisedime të mëtejshme të paqes që përfshinin liderët afrikanë, pak nga përpjekjet e tyre kanë shënuar ndonjë përparim konkret.

Duke analizuar më në detaje përpjekjet e Afrikës për të arritur paqen në Evropë, është e lehtë që t’i lidhësh ato me misionet diplomatike të Rusisë në kontinent që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.

Megjithatë, Kremlini ka qenë një lojtar i vjetër në kontinentin afrikan dhe përpjekjet e tij mund të fshehin një të vërtetë më të thellë dhe më të keqe: vendosjen e dominimit rus në sektorin afrikan të energjisë por edhe të nxitjes së mekanizmave për të krijuar valë të reja të emigrimit masiv drejt kufijve evropianë.

Është përmendur shpesh fakti që Grupi Wagner dhe në vazhdimësi Kremlini, janë përfshirë në nxitjen e një krize të re të emigracionit që goditi më rëndë anëtarët lindorë të BE-së pas zgjedhjeve të manipuluara presidenciale të vitit 2020 në Bjellorusi. Kjo e bëri plotësisht këtë të fundit një diktaturë autoritare.

Dhe ndërsa dokumentohet se fluksi i emigrantëve afrikanë nga Lindja e Mesme drejt Bjellorusisë, së bashku me lehtësimin e kalimit të paligjshëm të kufirit në BE, u krye nga diktatori bjellorus, Alexander Lukashenko, nuk ka asnjë arsye të mendohet se Wagner apo miqtë e tjerë të presidentit rus Vladimir Putin, nuk mund të rikrijojnë të njëjtën gjë në kufijtë jugorë të Evropës.

Ata mund ta bëjnë këtë duke krijuar kushte të cilat nuk do të kërkonin që avionët me emigrantë të shkonin qëllimisht në Minsk, por të duket si një emigrim natyror i shkaktuar nga ngjarje kataklizmike.

Dhe ndërsa Putin premton t’i japë grurë falas Burkina Fasos, Zimbabves, Malit, Somalisë, Republikës së Afrikës Qendrore dhe Eritresë, si “rastësisht” vetëm një javë më parë Rusia shkatërroi dhjetëra mijëra tonë drithë në një sulm të vetëm me raketa në magazinat e portit ukrainas të Odesës.

Republika e Afrikës Qendrore ka qenë prej kohësh në qendër të vëmendjes së Kremlinit në Afrikë dhe është një bazë e njohur operacionale e trupave të Wagner. Asnjëherë e distancuar nga shkeljet e të drejtave të njeriut, Wagner ka qenë gjithashtu i përfshirë edhe në Somali.

Ngjashëm, Rusia ka pasur gjithashtu një marrëdhënie të gjatë me Zimbabvenë, me shefin e Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, duke përdorur burimet e tij në këmbim të favoreve të ardhshme politike, midis marrëveshjeve të tjera.

Ndërsa Burkina Faso nuk është ende një zonë ku Wagner është vendosur në shkallë të gjerë, ajo është shpallur si një e tillë, edhe duke pasur parasysh lidhjet e ngushta të këtij vendi me Moskën. Pra shteti afrikan ka potencialin të mirëpresë mercenarët rusë.

Eritrea, shumë e ngjashme me shtetin-kukull të Rusisë, Bjellorusinë, ka shumë pak miq me të cilët mund të bisedojë, gjë që e bën Putinin një aleat natyror. Nga ana tjetër, Mali, pas tërheqjes të francezëve, hyri më kënaqësi nën kontrollin e Rusisë dhe Wagner, duke shkaktuar vdekje dhe shkatërrim.

Me rëndësinë e Rusisë dhe të grupit Wagner në Afrikë, nuk është për t’u habitur që Kremlini qëndron pas trazirave që kanë përfshirë ditët e fundit Nigerin, një vend në kufi me Burkina Fason të mbushur plot me trupat e Wagner, ashtu si në Mali, Algjeri dhe Libi.

Dhe teksa Prigozhin po luan me kartën shekullore ruse për t’iu kundërvënë kolonializmit perëndimor dhe për t’i ofruar një dorë ndihme udhëheqësve të grushtit të shtetit të Nigerit – një qasje e pranuar me lehtësi dhe e mbrojtur nga vetë kukullat e Wagner në rajon – mund të jetë thjesht çështje kohe përpara se ushtria hije e Kremlinit të hyjë edhe në këtë shtet.

Ndikimi rus mbi Afrikën po bëhet gjithnjë e më i fortë, duke mbështetur liderët e grushtit të shtetit, diktatorët dhe personazhet e pakëndshëm, që nuk kanë aspak për zemër interesat e popullit të tyre. Por ne nuk duhet ta shohim atë si një kontroll të thjeshtë.

Ndërsa Kremlini garanton pushtetin për sundimtarët aktualë, duke i mbështetur ata përmes mercenarëve të Wagner-it, Putin mund t’i drejtohet lehtësisht miqve të tij për përfitime më të mëdha. Duke krijuar liderë-kukulla, Kremlini mund t’i presë lehtësisht fijet për të arritur një qëllim më të madh: destabilizimin e botës demokratike dhe shkaktimin e pasojave katastrofike si për Afrikën po ashtu edhe për Evropën.

Mjafton vetëm një ndryshim i thjeshtë i besnikërisë, në këmbim të premtimeve shumë të rëndësishme për të drejtat e vazhdueshme të burimeve natyrore dhe qasjen që gëzon aktualisht Rusia, për të hedhur armët e Wagnerit në krah një kryekomandant të ri të luftës, dhe të tilla personazhe janë të pranishëm në të gjitha shtetet afrikane.

Evropa është përballur tashmë me një emigrim masiv nga Afrika pas fillimit të kryengritjeve dhe luftërave në Afrikën e Veriut, në Siri dhe Sudan. Në gjendje të shkaktojë kaos, shkatërrim dhe përfundimisht zi buke në Afrikën Qendrore, dhe teksa kontrollon qeveritë por edhe rrugët e trafikut të emigrantëve përmes Mesdheut, nuk duhet të nënvlerësohet aftësia e Rusisë për të nxitur luftë në një front tjetër.

E tronditur nga shkatërrimi i shkaktuar nga forcat ruse në Ukrainë dhe e shqetësuar me gjetjen e mjeteve për të mbështetur mbrojtësit e agresionit, bota perëndimore duhet të shohë të gjithë skakierën globale, duke i kushtuar një vëmendje të plotë shteteve-pengje të Kremlinit në periferinë e dukshme të linjave kryesore të betejës.

Shënim:Dr Stepan Stepanenko, drejtor i kompanisë konsulente për marrëdhënie politike dhe media, Forward Strategy Ltd me bazë në Britaninë e Madhe.

 


Shtuar 8.08.2023 14:31

Tags: