Si të shmangim një luftë tjetër botërore

Nga Henri Kisinger “The Spectator”

Lufta e Parë Botërore ishte një lloj vetëvrasjeje kulturore, e cila e shkatërroi ndikimin parësor që kishte Evropa në botë. Udhëheqësit e Evropës ecën symbyllur – sikurse shprehet në librin e tij historianit Christopher Clark – në një konflikt në të cilin asnjëri prej tyre nuk do të kishte hyrë nëse do të kishin parashikuar botën që do të dilte prej saj në fund të luftës në vitin 1918.

Në dekadat e mëhershme, ata i kishin shfaqur hapur rivalitetet e tyre, duke krijuar 2 grupe aleancash, strategjitë e të cilave ishin të lidhura me planet e tyre përkatëse për mobilizim. Rrjedhimisht vrasja e Princit të Kurorës austriake në Sarajevë të Bosnjës në vitin 1914 nga një nacionalist serb, u lejua të përshkallëzohej në një luftë totale, e cila nisi kur Gjermania nisi zbatimin e planin e saj të gjithanshëm për të mposhtur Francën duke sulmuar Belgjikën neutrale.

Duke mos qenë shumë të vetëdijshme sesi teknologjia i kishte përmirësuar forcat e tyre ushtarake, kombet evropiane vazhduan që t’i shkaktonin njëri-tjetrit një shkatërrim të paparë. Në gushtin e vitit 1916, pas 2 viteve luftë dhe miliona viktimave, vendet ndërluftuese kryesore në Perëndim (Britani, Francë dhe Gjermani), filluan të eksplorojnë mundësitë për t’i dhënë fund saj kasaphane.

Në Lindje, rivalë si Austria dhe Rusia kishin një ndjesi të ngjashme. Por për shkak se asnjë kompromis i mundshëm nuk mund të justifikonte sakrificat e bëra tashmë, dhe për shkak se askush nuk donte të jepte një përshtypjen se ishte i dobët, udhëheqësit ngurruan që të nisnin që në atë kohë një proces formal për arritjen e paqes, albeu.com.

Prandaj ata kërkuan ndërmjetësimin e SHBA-së. Koloneli Eduard House, i dërguari personal i presidentit amerikan Woodrow Wilson, zbuloi pas disa bisedimeve me të dyja palët, se një paqe e bazuar kryesisht tek statusquo-ja e vjetër por disi e modifikuar ishte e arritshme. Megjithatë, edhe pse ishte i gatshëm për të nisur ndërmjetësim, Willson e shtyu çështjen e negociatave deri pas zgjedhjeve presidenciale që mbaheshin në nëntor të atij viti. Deri në atë kohë, ofensiva e ushtrisë britanike në Somme dhe ajo gjermane në Verdun, i kishin shtuar bilancit të luftës edhe 2 milionë viktima të tjera.

Sipas historiani Philip Zelikow diplomacia u bë rruga më pak e shkelur. Lufta e Madhe vazhdoi edhe për 2 vite të tjera dhe i mori jetën miliona njerëzve të tjerë, duke e dëmtuar në mënyrë të pariparueshme ekuilibrin e dikurshëm që ekzistonte në Evropë.

Gjermania dhe Rusia u përfshinë nga ethet e revolucionit; shteti austro-hungarez u zhduk nga harta. Franca ishte përgjakur. Britania kishte sakrifikuar një pjesë të konsiderueshme të brezit të saj të ri dhe të kapaciteteve të saj ekonomike. Traktati ndëshkues i Versajës që i dha fund luftës, u tregua shumë më i brishtë sesa struktura që zëvendësoi.

A gjendet sot bota në një pikë kthese të krahasueshme në Ukrainë, teksa dimri imponon një ndërprerje të operacioneve ushtarake në shkallë të gjerë?

Unë e kam shprehur vazhdimisht mbështetjen time për përpjekjet ushtarake të aleatëve për të penguar agresionin e Rusisë në Ukrainë. Por po afrohet koha e kapitalizimit të ndryshimeve strategjike që janë arritur tashmë, dhe për t’i integruar ato në një strukturë të re drejt arritjes së paqes përmes negociatave.

Për herë të parë në historinë moderne, Ukraina është bërë një shtet me shumë peshë në Evropën Qendrore e ndihmuar nga aleatët dhe e frymëzuar nga presidenti i saj, Volodymyr Zelensky, ajo i ka frenuar forcat konvencionale ruse. Dhe sistemi ndërkombëtar – përfshirë Kinën – po kundërshton kërcënimin ose përdorimin e armëve të saj bërthamore nga Rusia.

Ky proces ka nxjerrë në pah problemin origjinal që ka lidhje me anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Ukraina ka ndërtuar një nga ushtritë tokësore më të mëdha dhe më efektive në Evropë, të pajisur nga Amerika dhe aleatët e saj. Një proces paqeje duhet të lidhë Ukrainën me NATO-n, sido që të paraqitet për publikun.

Alternativa e neutralitetit nuk ka më kuptim, sidomos pasi aleancës iu bashkua së fundmi Finlanda dhe Suedia. Është kjo arsyeja pse në muajin maj, unë rekomandova vendosjen e një linje armëpushimi përgjatë kufijve ekzistues ku filloi lufta më 24 shkurt. Rusia do të largohej nga pushtimet e reja, por jo nga territori që pushtoi gati një dekadë më parë, përfshirë Krimenë.

Ky territor mund të jetë objekt i një negocimi që mund të zhvillohet pas arritjes së një armëpushimi. Nëse linja ndarëse e paraluftës midis Ukrainës dhe Rusisë nuk mund të arrihet me luftime apo me negociata, mund të shqyrtohet përdorimi i parimit të vetëvendosjes. Referendumet e mbikëqyrura ndërkombëtarisht në lidhje me vetëvendosjen, mund të zhvillohen në territore veçanërisht të përçara, të cilat kanë ndryshuar duart në mënyrë të përsëritur gjatë shekujve. Qëllimi i një procesi paqeje do të ishte i dyfishtë: të konfirmojë lirinë e Ukrainës dhe të përcaktojë një strukturë të re ndërkombëtare, veçanërisht për Evropën Qendrore dhe Lindore, albeu.com.

Dhe Rusia duhet të gjejë një vend në një rend të tillë. Rezultati i preferuar për disa, është një Rusi e dobësuar shumë nga lufta. Por unë nuk jam dakord me këtë qasje. Me gjithë prirjen e saj ndaj dhunës, Rusia ka dhënë një kontribut vendimtar në ekuilibrin global, dhe në ekuilibrin e fuqisë për më shumë se 500 vite.

Roli i saj historik nuk duhet të degradojë. Pengesat ushtarake aktuale, nuk e kanë eliminuar fuqinë e saj bërthamore globale, duke i dhënë mundësinë të kërcënojë me përshkallëzimin e konfliktit në Ukrainë. Edhe nëse zbehet kjo aftësi, shpërbërja e Rusisë apo shkatërrimi i aftësisë së saj për politikë strategjike, mund ta kthejë territorin e saj të stërmadh, që përfshin 11 zona kohore, në një vakum të kontestuar.

Shoqëritë e saj konkurruese mund të vendosin t’i zgjidhin me dhunë mosmarrëveshjet e tyre. Vende të tjera mund të kërkojnë të zgjerojnë me forcë pretendimet e tyre territoriale. Ndërsa liderët botërorë përpiqen që t’i japin fund luftës, në të cilën 2 fuqi bërthamore po konkurrojnë për ndikimin mbi një vend të armatosur në mënyrë konvencionale, ata duhet gjithashtu të reflektojnë mbi ndikimin që kanë në këtë konflikt dhe mbi strategjinë afatgjatë teknologjia e lartë dhe Inteligjenca Artificiale.

Armët autonome ekzistojnë tashmë. Sapo të kalohet kufiri në këtë fushë dhe teknologjia e lartë të bëhet një armë standarde – dhe kompjuterët të bëhen ekzekutuesit kryesorë të strategjisë – bota do ta gjejë veten në një gjendje, për të cilën ende nuk ka një koncept të vendosur.

Kërkimi për paqen dhe rendin ka dy elementë që shihen ndonjëherë si kontradiktorë:ndjekja e elementeve të sigurisë dhe kërkesa për akte pajtimi. Në rast se nuk mund t’i arrijmë që të dyja, nuk do të arrijmë dot asnjërën. Rruga e diplomacisë mund të duket e ndërlikuar dhe frustruese. Por përparimi drejt saj kërkon vizion dhe guxim.

Shënim:Henry Kissinger, ish-Sekretar i Shtetit dhe këshilltar i Sigurisë Kombëtare në administratat Nixon dhe Ford.

/albeu.com

 


Shtuar 17.12.2022 08:30