Shkarkohet nga detyra gjyqtarja e Tiranës, Arjana Caco

Shkarkohet nga vettingu gjyqtarja Ariana Gumbardhi Caco. Gjyqtarja Ariana Caco, ishte një nga 3 anëtarët e trupës së procesit për “21 Janarin”.

Vendimi i shkarkimit nga KPK erdhi pas konkluzioneve se gjyqtarja nuk justifikonte me pasurinë. KPK konstatoi pamundësi financiare për ndërtimin e shtesave në secilën prej banesave, ajo bashkëngjitur apartamentit në Tiranë me sipërfaqe 68 m2 dhe 70 m2 në Vlorë. Nisur nga mungesa e dokumentacionit për këto dy investime, Komisioni i ka përllogaritur shpenzimet sipas referencave të Entit Kombëtar të Banesave, EKB, nga kanë rezultuar vlera që nuk janë mbuluar nga të ardhurat e subjektit dhe të personave të lidhur.

Në seancën e kaluar dëgjimore në funksion të vetingut për gjyqtaren, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi ta shtyjë për t’i dhënë kohë shqyrtimit të tre kërkesave të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit nëpërmjet përfaqësuesit të saj ligjor, njëkohësisht bashkëshortit Artur Gunbardhi.

Pasi kryesuesja e trupës së KPK, Pamela Qirko deklaroi fillimin e seancës, pyeti gjyqtaren Caco nëse kishte për të paraqitur ndonjë kërkesë paraprake. Avokati Gunbardhi deklaroi se kishin tre kërkesa paraprake dhe paraqiti argumentet se përse i ngrinin pretendimet e tyre, duke shpjeguar se kishin të bënin edhe me procesin e rregullt ligjor.

Ata kërkuan që t’iu komunikohen prej Komisionit emrat e këshilltarëve ligjorë dhe atyre financiarë që kanë përpiluar raportet në kuadër të rivlerësimit të Cacos. Sipas Gunbardhit, dy prej këshilltarëve të KPK-së gjenden në kushtet e konfliktit të interesit, pasi njëra është mikeshë e subjektit të rivlerësimit, ndërsa tjetri është djali i ish-ministrit të Drejtësisë në vitin 1996, me të cilin kishte pasur konflikt.

Sipas tij, këshilltarët janë në cilësinë e ekspertit dhe konstatimet e tyre ndikojnë në vendimarrjen e Komisionit. “Këshilltari përcakton provën determinante për pasurinë, megjithëse nuk merr vendim. Dyshimi im për njëanshmëri të këshilltarëve është objektivisht i justifikueshëm”, pohoi Gunbardhi dhe vërejti se në raste të konfliktit të interesit, ata duhet të dorëhiqen ashtu si edhe anëtarët e Komisionit.

I pyetur nga Qirko se përse kjo kërkesë po paraitej në këtë moment të procesit, Gunbardhi deklaroi se kishte pritur që këshilltarët ligjorë të zbatonin vetë ligjin lidhur me situatën e konfliktit të interesit. Ai këmbënguli që emrat e këshilltarëve të bëhen publikë dhe se mosthirrja e tyre në seancë për t’u drejtuar pyetje, do të cënonte barazinë e armëve dhe procesin e rregullt ligjor.

Në vijim, Gunbardhi kërkoi që procesi të zhvillohej me dyer të mbyllura. Ai pretendoi se gjatë procesit do të trajtohen të dhëna sensitive të një familje me të cilën kishte pasur marrëdhënie për shkak të administrimit të pronave, duke përmendur edhe mbiemrin e asaj familje.

Vëzhguesja ndërkombëtare, Elka Ermenkova e pyeti avokatin Gunbardhi se përse ai kërkonte të ruante të dhënat sensitive, kur po i përmente vetë publikisht. Ai shpjegoi se kishte fjalën për kofidencialitetin e marrëdhënies me atë familje, konkretisht lidhur me korrespodencën që kishte të bënte me administrimin e pronave prej tij.

Kërkesa e tretë e paraqitur nga avokati Gunbardhi kishte të bënte me përjashtimin e relatores së çështjes, Etleda Çiftja. Ai sqaroi se më 27 shtator ishte vënë në dijeni nëpërmjet medieve lidhur me akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Sipas tij, Çiftja duhej të ishte e pezulluar nga detyra dhe kërkoi përjashtimin duke vërejtur se në raste të tjera një kërkesë e tillë ishte pranuar prej KPK-së.

Pasi u tërhoq, KPK vendosi të shtyjë seancën dëgjimore deri në shqyrtimin e kërkesës për përjashtimin e Çiftjes nga një tjetër trupë, ndërsa për dy kërkesat e tjera, kryesuesja Qirko tha se do të shqyrtohen pasi të legjitimohet anëtari i tretë i trupës. Komisioni sqaroi se seanca e radhës do të njoftohet në vijim.

Ariana Caco e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe punon prej më shumë se dy dekadash në Gjykatën e Tiranës.