Pozitat e shqiptarëve në qeverinë e Maqedonisë mbetën të pa prekuara, ndërsa sipas marrëveshjes, ndryshime, kontroll dhe ndarje të ndërsjellë të pushtetit do të ketë vetëm midis VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së për arsye të përplasjeve dhe mosbesimit në mes të dy partive maqedonase që edhe sollën gjer në krizën politike më të thellë në vend.
"Përmbyllja e këtyre çështjeve nënkupton vazhdimësi të reformave strukturore në përputhje me Rekomandimet e BE-së, rikthim të stabilitetit politik dhe sigurisë në vend si dhe
paraqet garancë për mbarëvajtje të zgjedhjeve të lira dhe të drejta. Të gjitha këto na rikthejnë fuqishëm në rrugën e integrimit EuroAtlantik që është prioritet absolut i qytetarëve tanë", tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Kryetari i BDI-së theksoi se, nga kjo marrëveshje nuk ka as fitues, por as humbës, duke shtuar që përmbyllja e çështjeve të hapura
paraqet zhvillim të mirë për vendin dhe për qytetarët.
Ai shtoi se, nga Ligji për Prokurorinë Speciale e deri te Kodi Zgjedhor, është zgjerimi i fushave të përdorimit të shumicës së dyfishtë (Badinterit) dhe promovimi i parimit të vendosjes me konsensus si dhe analiza e zbatueshmërisë së Marrëveshjes së Ohrit në bashkëpunim me OSBE-në dhe Institutin Evropian të Paqes.
Ndërsa përfaqësuesi i PDSH-së, Imer Aliu, u shpreh se nuk beson që kjo marrëveshje do të zbatohet. /albeu.com/
Shtuar më 06/11/2015,
ora 10:58