Në thirrjet për armatosjen e Ukrainës, Truss përmend edhe Ballkanin Perendimor

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, ka thënë se forcat ruse duhet të largohen “nga e gjithë Ukraina”, dhe se Perëndimi duhet të dërgojë armë edhe në vendet tjera që kërcënohen nga Rusia.

“Ne duhet të sigurohemi që krahas Ukrainës, Ballkani Perëndimor dhe shtetet si Moldavia dhe Gjeorgjia janë të qëndrueshme dhe kanë aftësi për të ruajtur sovranitetin dhe lirinë e tyre”.

Ajo i ka bërë këto komente në një fjalim të mbajtur në Londër, duke thënë se fitorja për Ukrainën është “me rëndësi jetike” për Perëndimin.

Këto kanë qenë deklaratat më të qarta të Britanisë për luftën në Ukrainë, të nisur nga presidenti rus, Vladimir Putin më 24 shkurt.

Ajo ka thënë se vendet aleate të Perëndimit duhet të “dyfishojnë mbështetjen” për Ukrainën.

“Ne do të veprojmë shpejt”, ka thënë Truss “për të larguar Rusinë nga e gjithë Ukraina”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar për hakmarrje të shpejtë nëse shtetet e huaja ndërhyjnë në Ukrainë.

“Nëse dikush dëshiron të ndërhyjë nga jashtë për ngjarjet që janë duke vazhduar, dhe të krijojë kërcënime strategjike, që janë të papranueshme për Rusinë, ata duhet ta dinë se sulmet tona hakmarrëse do të jenë të shpejta si rrufe”, ka thënë Putin sipas mediave shtetërore ruse.

“Ne kemi të gjitha mjetet për këtë gjë, mjete që askush nuk i ka tani. Ne nuk do të mburremi, ne do t’i përdorim ato nëse është e nevojshme. Dua që të gjithë ta dinë këtë gjë”./rel


Shtuar 28.04.2022 13:21