2 fakultete e 3 mastera, shteti i mbyll dyert doktoreshës së verbër (VIDEO)
Mungesa e shikimit që në moshën 5-vjeçare, nuk e ka penguar Fiorentinën, që të heq dorë nga dëshira e saj për shkollim.

Me shumë mund, ajo ka arritur të mbarojë me rezultate të larta, dy fakultete, 3 mastera dhe së fundi edhe studimet e Doktoraturës.

Por si shpërblim për gjithë këtë sakrificë, në dyert e shtetit, që e ka detyrim ligjor të punësojë nga kategoria e personave me aftësi të kufizuara deri më sot, nuk i është ofruar asnjë mundësi, edhe pse ajo ka trokitur disa herë për të kërkuar punë, shkruan Ora News.

Prej 6 vitesh Fiorentina është mirëpritur për të dhënë mësim në një shkollë private në Tiranë, ndërkohë më herët ajo ka punuar për 9 vite në disa shkolla në Greqi.

Fiorentina Bejdullaj: “Studimet e Doktoraturës i kam kryer për nxënësit me dëmtime vizuale në arsimim special në Shqipëri, kurse të gjitha universitetet e tjera dhe masterat i kam mbaruar në Greqi. Kam mbaruar dy fakultete dhe tre mastera.

Diplomat i kam me rezultate shumë të mira, 9.21 jashtë shtetit, kurse Doktoraturën e kam mbaruar me 94% , që është një arritje shumë e madhe, një rezultat shumë i mirë.

Kam punuar 9 vjet si mësuese në Greqi në arsimin gjithëpërfshirës dhe në arsimin special. Gjithashtu dhe në Shqipëri, sot punoj si mësuese, kam disa orë në një shkollë private.

Në shtet fatkeqësisht jo, nuk më ka dhënë asnjë orë mësimi Ministria e Arsimit. Kam kërkuar shumë, kam kërkuar në maksimum, por fjalët e mia kanë rënë në vesh të shurdhër”

Drejtoresha e shkollës shqiptaro-amerikane, Georgia Bendo, thotë se është shumë e kënaqur nga puna e Fiorentinës dhe sipas saj ajo është një model edhe për ndërgjegjësimin e brezave të rinj.

Georgia Bendo: “Jemi shumë të kënaqur nga puna e saj. Ajo jep një kontribut të jashtëzakonshëm te shkolla jonë, jo vetëm nga ana profesionale se ka një metodikë shumë të mirë, shumë të fortë si mësuese, por është edhe një gjë shumë e mirë për nxënësit që kemi në shkollë.

Ajo është një njeri që sensibilizon dhe bën që të jenë më të ndjeshëm me mënyrën e saj shumë të qetë dhe të mirë dhe me të gjithë dashurinë që u jep nxënësve”

Me natyrën e saj aspak pesimiste, Fiorentina shpreson se pas studimeve të doktoraturës do t’i hapet një portë, ndaj ajo i bën thirrje Kryeministrit Rama, që të ketë vëmendje për personat me aftësi ndryshe.

Fiorentina Bejdullaj: “Unë jam nga njerëzit optimistë dhe shpresoj, por pavarësisht atyre përgjigjeve që kam mar, të cilat janë negative, unë përsëri shpresoj. I bëj thirrje zotit Kryeministër që të dëgjojë kërkesat tona dhe të na japi atë çka ne meritojmë” /albeu.com/
Shtuar më 09/01/2018, ora 10:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori