Taksa 100 % ndaj
produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës në 11 muajt sa është zbatuar, ka ul importin nga këto shtete. Përkundër kësaj, prodhuesit vendor nuk kanë arritur të mbulojnë boshllëqet e lëna nga këto produkte.
11 muaj pas vendosjes së saj
Taksa 100% ndaj
produkteve serbe dhe nga Bosnja ka ulur për 99% importin e
produkteve nga këto dy vende. Sipas Doganës së Kosovës krahasuar me vitin e kaluar kur Kosova ka importuar nga Serbia në vlerë 450 milionë
euro, gjatë këtij viti është importuar në vlerë 5 milionë.
“Nëse e marrin si shembull vitin paraprak, kemi importuar nga Serbia 450 milionë
euro mallra. Ndërsa pas vendosjes së taksës vlera e importeve nga Serbia ka rënë në 5 milionë
euro”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Adriatik Stavileci.
Ndërkaq pas vendosjes rënie ka pësuar edhe eksporti i
produkteve në drejtim të Serbisë. Sipas Doganës pas vendosjes së taksës Kosova në Serbi eksporton mesatarisht 2 milionë
euro në muaj.
“Kosova jo që ka pasur ndonjë eksport të madh në Serbi. Ne kemi eksportuar në Serbi rreth 25-30 milionë
euro brenda një viti. Por
taksa ka ndikuar në uljen e eksporteve tona drejt Serbisë”, deklaron Adriatik Stavileci, përcjell Telegrafi.
Naim Gashi, njohës i çështjeve ekonomike ka thënë se përkundër faktit se
taksa ka ndikuar në uljen e importit nga Serbia, prodhuesit vendor nuk kanë pasur kapacitet për të mbuluar tregun.
“Sa i përket ndikimit të kësaj takse në ekonomi, pritjet kanë qenë më të mëdha. Mirëpo marrë parasysh se importi i mallrave gjatë vitit 2019 do ta kalojë shifrën prej 3 miliardë
euro, atëherë shihet se prodhimi vendor nuk ka arritur ta kompensojë hendekun që kanë krijuar mallrat e Serbisë”, deklaroi Naim Gashi.
Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës tha se prodhuesit vendor nuk janë favorizuar shumë nga
taksa, mirëpo shtoi se
taksa e ka vetëdijesuar konsumatorin dhe kjo vlen edhe pas heqjes së taksës.
“Me kapacitet që kanë pasur kompanitë tona, të cilat ndër vite janë ballafaquar me konkurrencën e
produkteve serbe dhe nuk kanë mundur të zhvillohen si duhet, ato sadopak e kanë mbuluar boshllëkun që kanë krijuar produktet serbe dhe tash është riorientuar një pjesë e tregtisë dhe nuk pres rikthimin e dominimit të
produkteve serbe siç kanë qenë”, deklaroi Berat Rukiqi.
Lidhur me shkrimet që kanë qarkulluar ditëve të fundit se eksporti i Kosovës në Serbi është bllokuar në dy muajt e fundit, Dogana e Kosovës hedh poshtë këto lajme me arsyetimin se në raportin e publikuar për eksportin Janar-Shtator 2019 ka ndodhur një gabim teknik që është rregulluar dhe s’ka të bëjë me bllokim.
/RTV Dukagjini/
Shtuar më 25/10/2019,
ora 19:26