Darëzeza fshati afër detit ku banorët nuk bëjnë plazh (FOTO LAJM)

Pëlqej
Gëzim Hoxha për Albeu.com
Një karrocë e tërhequr nga një kalë me ngjyrë të kafe përshkon çdo mëngjes plazhin e Darëzezës.

Ajo ndiqet nga dy tre gra me uniformën karakteristike të një punonjësi pastrimi, të cilat mbledhin mbeturinat e hedhura në rërë nga pushues ende të pandërgjegjshëm. Mbeturinat e mbledhura nga duart e tyre hidhen më pas në koshin më të aftërt.

Pas pak karroca në fjalë kthehet sërish. Burrat që zaptojnë ndenjësen e saj të vetme prej dërrase, zbresin dhe zbrazin koshat një e nga një në pjesën e pasme të karrocës. Destinacioni i tyre janë dy kosha të mëdhenj të cilët zbrazen në makinën e madhe të plehrave. Kur ata largohen, plazhi duket më i pastër.

Darëzeza ndodhet afërsisht 20 km larg Fierit dhe është vetëm rreth 700 – 800 m larg bregut të detit.

Historia e këtij fshati është e re, ajo daton në vitin 1988. Në këtë kohë ky vend njihej me emrin Hidrovor, kjo për shkak të stacionit të pompave që shkarkote ujërat e bardha në det.

Mirëpo një tjetër fshat me të njëjtin emër do të duhej që të zhvendosej.

Ky fshat ndodhej diku në Gramsh të rrethit të Elbasanit.

Për fatin e tij të mirë e të keq njëherësh ky fshat ndodhej buzë një lumi.

Në planet e kohës thuhej se aty do të ndërtohej një hidrocentral që do të rriste prodhimin e energjisë elektrike. Sot aty është ndërtuar HEC-i i Banjës.

Fshati duhej zhvendosur, po ku? U gjet një vend që për kohën qe i shkretë një vend ku kishte dhe kënetë edhe det.

Të ardhurit sollën me vete edhe emrin e fshatit të tyre. Një copëz kënete është ruajtur edhe sot.

Buzë saj syri të zë një tabelë të vjetër metalike ku shkruhet pronë private.

Ҫuditesh që kjo copëz kënete i përket dikujt. E megjithatë gëzohesh që ekziston ende për të ruajtur bio - diversitetin.

Por çudirat nuk kanë të sosur. Habitesh se shprehja e famshme “O afër detit, o afër mbretit!!!”, nuk ka ndonjë vlerë të veçantë për fshatin. Banorët nuk e pëlqejnë pothuajse fare plazhin dhe të mirat e tij.

Kështu asnjë nga fshatarët nuk kanë hapur ndonjë lokal buzë detit. – thotë Rexhep Kocaçi një shpërndarës pijesh alkolike i cili pretendon se i njeh shumë mirë traditat e zonës. Fshatarët morën nga 1 ha për frymë, por edhe sot e kësaj dite nuk e dinë se ku i kanë pronat e tyre. – Ata nuk e pëlqejnë fare detin por si për çudi ata i shikon gjithë ditën e ditës duke peshkuar. – thotë tregtari i sipërpërmendur. Tani fshati popullohet nga një popullsi tejet heterogjene. Në të kanë ardhur fise apo familje të tëra nga Skrapari, Berati, Mallakastra, Fieri, Gramshi dhe Elbasani po se po.

Një banore e fshatit ankohet për fanatizmin dhe pabarazinë gjinore që ende shfaqet në marrëdhëniet familjare. Luljeta Hoxha, guzhiniere e një lokali afër detit, të thotë se burrat rrinë gjithë ditën lokaleve të fshatit dhe punët shtëpiake kryhen më së shumti nga gratë. Ajo shton se banorët e zonës merren kryesisht gjatë dimrit me bujqësi dhe blegtori dhe verës edhe me peshkim. Por edhe pse fanatic sipas Luljetës, gjithsesi ata të begenisin dhe të urojnë me kënaqësi “Mirëmëngjes!”.

Por verës banorët hapin edhe dyert e shtëpive për plazhistët e shumtë që zgjedhin plazhin që njihet me dy emra. Fierakët e njohin më së shumti si plazhi i Hidrovorit, por të shumtë janë edhe ata që e njohin edhe me emrin e fshatit si plazhi i Darëzezës.

Luljeta Kocaçi pronare e një bar – restoranti në plazhin e Darëzezës thotë se ky plazh përzgjdhet nga pushuesit për arsye të ndryshme.

Kështu ajo ndër të tjera përmend rërën kurative, pastërtinë dhe ushqimet bio.

Këtu vijnë pushues nga të katër anët e vendit. Gjen pushues nga Berati, Elbasani, Tirana, Gramshi, Ballshi, Korça etj krahina të vendit, por këtu vijnë edhe nga Italia, Greqia dhe madje edhe nga Amerika.

Luljeta thotë se plazhi është i virgjër, në të nuk derdhen ujërat e zeza të qytetit. Për më tepër, ajo shton se natyra dhe tekat e saj do ta mbrojnë edhe në të ardhmen virgjërinë e këtij bregdeti pasi në dimër stuhitë marrin me vete çdo gjë që iu del përpara.

Për pastërtinë e plazhit kujdesen 8 punonjësit e një firme e cila ka fituar edhe tenderin nga bashkia e Fierit për këtë qëllim. Fshati i Darëzezës ka një vijë bregdetare me gjatësi rreth 6 km. Idajet Latifi një punonjës i përhershëm i firmës tregon se ka ardhur në Hidrovor që në vitin 1988.

Ai paguhet me 28.000 lekë në muaj për punën që bën. Ai thotë se punon me dy turne dhe përveç plazhit atyre iu duhet të pastrojnë edhe fshatin.
Shtuar më 09/08/2017, ora 16:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori