Shkon në 30 numri i viktimave nga COVID 19 në Maqedoninë e Veriut

Numri i viktimave në Maqedoninë e Veriut për shkak të COVID-19 ka shkuar në 30. Në 24 orët e fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë kanë humbur jetën 4 persona.

Në njoftimin për shtyp thuhet se një pacient 73-vjeçar ka ndërruar jetë në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup dhe një tjetër person 44-vjeçar është gjetur i vdekur në Kavadar ndërsa në mostrën e marrë pas vdekjes, ai ka rezultuar pozitiv në COVID-19.

Në statistikën e sotme të ministrisë është regjistruar edhe një rasti i vdekjes së një pacienti, i cili mbrëmë ndërroi jetë rrugës për tek spitali “8 Shtatori”.

Ministria e Shëndetësisë ka informuar se ka humbur jetën edhe një paciente 27-vjeçare nga Kumanova. Ajo më 30 mars në Klinikën e Gjinekologjisë në Shkup lindi një foshnje mashkull, i cili është negativ në COVID-19.

Në 24 orët e fundit janë regjistruar 18 raste të reja me koronavirus. Prej tyre, 7 janë në Shkup, 4 në Prilep, nga dy në Kumanovë dhe Manastir ndërsa nga një rast është regjistruar në Kavadar, Krushevë dhe Koçani.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në vend arrin në 617, prej të cilëve 35 janë shëruar.

Shkupi është qyteti me numrin më të madh të të infektuarve në vend, me gjithsej 261 raste, ndërsa vijojnë Kumanova me 130 dhe Dibra me 49, ndërsa teste pozitive në COVID-19 janë regjistruar në pothuajse të gjitha qytetet në vend.


Shtuar 8.04.2020 14:25