Dyshohet se vrau të fejuarin, prangoset dentistja e njohur shqiptare: Ish-piloti u gjet i vdekur me një qese plastike rreth kokës

Një dentiste e njohur shqiptare është arrestuar në Belgjikë, pasi dyshohet se ka vrarë të fejuarin e saj.

Lajmin e bënë të ditur mediat belge, sipas të cilave, Monica S dyshohet se ka vrarë të fejuarin, ish-pilotin Robby Claes në Lummen të Belgjikës.

Ish-piloti u gjet i vdekur në krevatin e tij mëngjesin e 20 majit. Ai kishte një qese plastike të lidhur rreth kokës.

Claes vdiq nga mbytja, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të ketë vrarë veten. Por hetuesit kanë dyshime te shqiptarja, edhe pse ajo ka mohuar se ka lidhje.

Sipas portalit belg, HLN, ish-piloti ishte lidhur me shqiptaren prej disa kohësh. Ai kishte kryer disa herë fluturime interkontinentale dhe katër vite më parë ishte njohur me shqiptaren gjatë një prej fluturimeve.

Në atë kohë, shkruan portali, ajo ishte shumë e njohur në vendin e saj si dentiste.

44-vjeçarja kishte studiuar në Nju Jork dhe ishte eksperte në fushën e impianteve. HLN shkruan se ajo kishte dalë disa herë në televizionet shqiptare.