Konflikti Rusi-Ukrainë, Xhaçka: SHBA e gatshme të ndajnë me Shqipërinë përgjegjësinë e bashkautorësisë për çështje të paqes dhe sigurisë

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot se, SHBA është treguar e gatshme për të ndarë me vendin tonë përgjegjësinë e bashkautorësisë për çështje të paqes dhe sigurisë.

“Ne kemi një bashkëpunim të ngushtë me SHBA. Gjatë këtij bashkëpunimi që do materializohet përmes takimeve që do kemi në Uashington me Blinken, kemi krijuar një sinergji të veçantë lidhur me angazhimin e vendeve tona, edhe sa i takon çështjes së paqes dhe sigurisë, veçanërisht me situatën e konfliktit të Ukrainës. SHBA kanë qenë të gatshme të ndajnë me Shqipërinë përgjegjësinë  e bashkautorësisë apo bashkëpenëmbajtësit për çështje që kanë lidhje me sigurinë dhe paqen dhe veçanërisht me Ukrainën. Është vlerësim dhe privilegj i jashtëzakonshëm për të bashkëndarë me SHBA përgjegjësinë për të qenë bashkëhartues në çështjen e Ukrainës, nj kontribut që jemi të gatshëm për ta marrë përsipër. Jemi të vetëdijshëm për përmasat tona, por kjo është çështje serioziteti, përgatitje dhe aftësie për të marrë përsipër përgjegjësi. Vendi ynë merr një rol të dorës së parë në çështje të sigurisë përmes bashk9ëhartimit me SHBA për çështjen e Ukrainës. Vendet tona do bashkëpunojnë ngushtë, do ndajnë informacion në mënyrë prioritare dhe do jenë në origjinë të çdo nisje me këtë nismë. Projekti i parë do hartohet nga dy vendet tona dhe më pas do ndahet me të tjerë. Bashkëhartuesit janë të parët që flasin për çështjen në fjalë në  takimet e Këshillit të Sigurimit. Është një shprehje e thellimit të partneritetit strategjik të dy vendeve”, tha Xhaçka./albeu.com


Shtuar 5.02.2022 11:58