Mos iu ndani çadrave deri në 1 tetor, qytetet që do të “mbyten” nga reshjet e shiut

Stina e vjeshtës ka nisur me reshje në të gjithë vendin. Hakil Osmani nga MeteoAlb sqaron se paraditja e të dielës do të ketë një mot të qëndrueshëm ndërsa reshjet e dendura të shiut pritet të rikthehen pasdite.

Sipas sinoptikanëve pas pesë ditësh pritet të ketë dhe një përmirësim të motit.

“Mbrëmja e ditës së dielë rikthen sërish vranësirat e dendura, reshjet e shiut herë pas herë do të jenë në formë rrebeshi, priten me intensitet mesatar dhe lokalisht intensiv.

Gjatë këtij 5 ditëshi zonat më të prekura janë ato veriperëndimore. Qyteti i Shkodrës do të marrë rreth 160 mm shi, Lezha 130 mm shi. Tirana, Gjirokastra, Saranda do të marrin reshje të konsiderueshme duke bërë që sasia gjatë këtyre 5 ditëve të shkojë deri në 120 mm shi”.

Ndërsa shtatorit po i vjen fundi, tetori pritet të nisë me mot të qëndrueshëm por nuk do të mungojnë as reshjet, të cilat do të jenë lokale.

“Ditët e para të muajit tetor do të jenë me mot të qëndrueshëm, me kthjellime dhe vranësira të pakta që do të sjellin dhe rrebeshe të karakterit, lokal në zonat malore.”

Reshjet e dendura të shiut por edhe ulja e temperaturave do të mbizotërojnë dhe në vendet e rajonit, si në Kosovë apo Maqedoninë eVeriut ku situata e motit paraqitet e njëjtë si në Shqipëri./oranews


Shtuar 26.09.2020 14:58