Kjo është lufta e Putinit, por Amerika dhe NATO nuk janë spektatorë të pafajshëm

Nga Thomas L.Friedman “New York Times

Kur shpërthen një konflikt i madh si ai në Ukrainë, gazetarët pyesin gjithnjë veten:“Ku duhet të shkoj për të raportuar? Në Kiev? Moskë? Mynih? Apo Uashington? Në këtë rast, përgjigja ime është asnjë nga këto.

Vendi i vetëm për ta kuptuar këtë luftë është brenda kokës së presidentit rus Vladimir Putin. Putin është udhëheqësi rus më i fuqishëm dhe më i pakontrolluar që nga koha e Stalinit, dhe koha e luftës aktuale është produkt i ambicieve, strategjive dhe i ankesave të tij.

Megjithatë edhe Amerika nuk është tërësisht e pafajshme për situatën aktuale. Pse? Putin e sheh ambicien e Ukrainës për t’u larguar nga sfera e tij e influencës si një humbje strategjike, por edhe si një poshtërim personal dhe kombëtar.

Në fjalimin e tij të mbajtur të hënën, Putin deklaroi se Ukraina nuk ka pretendime për të qenë e pavarur pasi ajo është një pjesë integrale e Rusisë, dhe se qytetarët e saj janë “të lidhur me ne nga gjaku dhe lidhjet familjare”. Kjo është arsyeja pse sulmi i Putinit kundër qeverisë ukrainase të zgjedhur në mënyrë demokratike, përjetohet si ekuivalenti gjeopolitik i një vrasjeje për çështje nderi.

Në thelb, Putin po u thotë ukrainasve (shumica e të cilëve duan më shumë anëtarësimin në Bashkimin Evropian sesa në NATO):“Ju ratë në dashuri me djalin e gabuar. Nuk do të ikni as me NATO-n, dhe as me BE-në. Dhe nëse do të më duhet ta godas për vdekje qeverinë tuaj dhe t’ju tërheq zvarrë për në shtëpi, unë do ta bëj!”.

Sipas mendimit tim, ka dy “trungje të mëdhenj” që e ushqejnë këtë “zjarr”. I pari ishte vendimi i keq-menduar nga SHBA në vitet 1990 për të zgjeruar NATO-n pavarësisht shembjes sëBashkimit Sovjetik. I dyti shumë më i madh, është mënyra se si Putin e shfrytëzoi në mënyrë cinike zgjerimin e NATO-s më pranë kufijve të Rusisë, për t’i grupuar rusët rreth vetes duke fshehur dështimin e tij të madh në udhëheqjen e vendit.

Putin ka dështuar plotësisht në ndërtimin në Rusi të një modeli ekonomik, që në fakt do të tërhiqte fqinjët e saj, dhe jo t’i zmbrapste këta të fundi, dhe që mund t`i frymëzonte rusët më të talentuar që të donin të qëndronin në vend, dhe të mos mbajnë radhë në ambasada për të marrë viza për të shkuar në Perëndim.

Ne duhet t’i analizojmë me vëmendje këto 2 faktorë. Shumica e amerikanëve i kushtuan shumë pak vëmendje zgjerimit të NATO-s në fundin e viteve 1990 dhe fillimin e viteve 2000 në vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore si Polonia, Hungaria, Republika Çeke, Letonia, Lituania dhe Estonia, të cilat kishin qenë pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik apo sferës së saj të ndikimit.

Nuk ishte një mister arsyeja pse këto vende dëshironin të ishin pjesë e një aleance, që e detyronte SHBA-në të dilte në mbrojtje të tyre në rastin e një sulmi nga Rusia, pasardhësja e fundit e Bashkimit Sovjetik.

Mbetej mister se përse SHBA, që gjatë gjithë Luftës së Ftohtë ëndërronte që një ditë Rusia të mund të përjetonte një revolucion demokratik dhe të kishte një udhëheqës që do të përpiqej ta kthente Rusinë në një demokraci dhe t’i bashkohej Perëndimit, do të zgjidhte të zgjeronte me shpejtësi NATO-n shumë pranë Rusisë, pikërisht kur kjo e fundit ishte shumë e dobët.

Një grup shumë i vogël zyrtarësh dhe politikanësh në atë kohë, përfshirë edhe mua, ngritëm të njëjtën pyetje, por ne u sulmuam menjëherë. Zëri më i rëndësishëm dhe i vetëm në krye të administratës së Bill Clinton që e ngriti këtë pyetje ishte Sekretari i Mbrojtjes, Bill Perry. Ai tha në vitin 2016 për britaniken “The Guardian”:“Gjatë viteve të fundit,pjesa më e madhe e fajit mund t’i vihet veprimeve që ka ndërmarrë Putin. Por për vitet e para një pjesë e madhe e fajit i takon Shteteve të Bashkuara. Veprimi ynë i parë që na çoi vërtet në një drejtim të gabuar, ishte kur NATO filloi të zgjerohej, duke sjellë në aleancë vende të Evropës Lindore, madje disa prej tyre në kufi me Rusinë. Në atë kohë, ne po bashkëpunonim ngushtësisht me Rusinë, dhe rusët kishin filluar të mësoheshin me idenë se NATO mund të ishte një mik dhe jo një armik i tyre… Por ata nuk ndiheshin rehat ta kishin NATO-n në kufirin e tyre, ndaj apeluan disa herë që të mos vazhdonim me këtë kërcënim”.

Më 2 maj 1998, menjëherë pasi Senati amerikan ratifikoi zgjerimin e NATO-s, unë telefonova George Kennan, arkitektin e kontrollit të suksesshëm të Bashkimit Sovjetik nga ana e Amerikës gjatë Luftës së Ftohtë. Pasi iu bashkua Departamentit të Shtetit në vitin 1926 dhe shërbeu si ambasador i SHBA-së në Moskë në vitin 1952, Kennan ishte padyshim eksperti më i madh i Amerikës mbi Rusinë.

Edhe pse në atë kohë ishte 94 vjeç dhe fliste me një zë të mekur, ai bëri një deklaratë të fortë:“Mendoj se është fillimi i një Lufte të re të Ftohtë. Mendoj se gradualisht rusët do të reagojnë shumë keq, dhe do të ndikojë në politikat e tyre. Mendoj se është një gabim tragjik. Nuk kishte asnjë arsye për ta bërë këtë. Askush nuk po kërcënonte askënd tjetër. Ky zgjerim do të tmerronte etërit themelues të SHBA-së.

Ne kemi nënshkruar një dokument ku angazhohemi të mbrojmë një sërë vendesh, edhe pse nuk kemi as burimet dhe as synimin për ta bërë këtë në një mënyrë serioze. Zgjerimi i NATO-s ishte një veprim mendjelehtë nga një Senat, që nuk ka asnjë interes real në politikën e jashtme të SHBA-së.

A nuk e kuptojnë njerëzit? Dallimet tona në Luftën e Ftohtë ishin me regjimin komunist sovjetik. Dhe tani ne po ua kthejmë shpinën pikërisht njerëzve që realizuan revolucionin më të madh pa gjakderdhje në histori për të rrëzuar atë regjim sovjetik.

Dhe demokracia ruse është aq shumë e avancuar, në mos më shumë, sesa në secilin nga këto vende me të cilat sapo kemi nënshkruar një traktat për t’i mbrojtur ato nga Rusia. Sigurisht që do të ketë një reagim të ashpër nga Rusia, dhe më pas mbështetësit e zgjerimit të aleancës, do të thonë se siç e kemi thënë gjithmonë kështu janë rusët. Por kjo qasje është e gabuar.”

Dhe kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur. Sigurisht, evoluimi i Rusisë së pas Luftës së Ftohtë në një sistem liberal – ashtu siç bënë Gjermania dhe Japonia e pas Luftës së Dytë Botërore – nuk ishte diçka e sigurt. Në fakt, duke pasur parasysh përvojën e pakët të Rusisë me demokracinë, kjo ishte e vështirë.

Por asokohe disa nga ne menduan se ishte diçka qëia vlente të provohej, sepse edhe një Rusi më pak se demokratike – nëse do të ishte përfshirë dhe jo e përjashtuar nga një rend i ri i sigurisë evropiane – mund të kishte shumë më pak interes apo nxitje për të kërcënuar fqinjët.

Sigurisht, asnjë nga këto nuk e justifikon copëtimin e Ukrainës nga Putin. Gjatë 2 mandateve të para të Putin si president – nga viti 2000 deri në vitin 2008 – ai ankohej herë pas here për zgjerimin e NATO-s, por nuk bëri ndonjë gjë të madhe.

Në atë kohë çmimet e naftës ishin të larta, dhe po kështu edhe popullariteti i tij i brendshëm, pasi po ndodhte një rritje e ndjeshme e të ardhurave personale ruse pas një dekade reformash dhe varfërimi të dhimbshëm që përjetuan shumica e rusëve pas rënies së komunizmit.

Por gjatë dekadës së fundit, kur ekonomia ruse hyri sërish në stanjacion, Putini duhej ose të ndërmerrte reforma ekonomike më të thella, të cilat mund të kishin dobësuar kontrollin e tij nga lart-poshtë, ose të forconte rrjetin e kleptokracisë.

Siç shpjegon edhe Leon Aron, ekspert i Rusisë në think-tankun “American Enterprise Institute” dhe autor i librit “Jelcin:Një jetë revolucionare”, dhe që tani po shkruan një libër për të ardhmen e Rusisë së Putinit, presidenti rus zgjodhi opsionin e dytë.

Dhe për ta shpërqendruar vëmendjen e publikut nga kjo zgjedhje, Putin e zhvendosi bazën e popullaritetit të tij nga “të qenit shpërndarës i pasurisë së sapokrijuar të Rusisë dhe një reformator ekonomik, tek të qenit një mbrojtës i atdheut”- thotë Aron.

Dhe pikërisht kur Putini zgjodhi për arsye politike të brendshme të bëhej një nacionalist hakmarrës dhe një “president i përhershëm në kohë lufte”, shfrytëzoi kërcënimin më emocionues për të tubuar rreth vetes popullin:zgjerimin e NATO-s në Lindje.

Dhe e ka përdorur që atëherë këtë kartë edhe pse e di shumë mirë se NATO nuk ka plane të zgjerohet për të përfshirë në aleancë edhe Ukrainën. Vendet dhe udhëheqësit zakonisht reagojnë ndaj poshtërimit me një nga dy mënyrat:sulm ose mbyllje ne vetvete.

Pasi Kina përjetoi atë që ajo e quajti një “shekull poshtërimi” nga Perëndimi, ajo reagoi sipas doktrinës së Deng Xiaoping:“Do të na shihni. Ne do t’ju mundim në lojën tuaj!”.

Kur Putin u ndje i poshtëruar nga Perëndimi pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe zgjerimit të NATO-s, ai u përgjigj:“Do të më shihni shumë shpejt. Unë do ta mposht Ukrainën”.Është e vërtetë, që gjithçka është më e ndërlikuar se sa kaq, por argumenti im është ky:Kjo është lufta e Putinit. Ai është një udhëheqës i keq për Rusinë dhe fqinjët e saj. Por Amerika dhe NATO nuk janë thjesht spektatorë të pafajshëm në këtë histori. /abcnews.al


Shtuar 23.02.2022 15:08