Strakosha kalon edhe Neuer, renditet ndër 20 portierët më të shtrenjtë

Strakosha kalon Manuel Neuer. Kjo, në bazë të një renditjeje që ka bërë së fundmi Observatori i Futbollit i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Sportive, i cili publikoi 20 portierët më të shtrenjtë të futbollit europian.

“Gardiani” i Shqipërisë dhe i Lazios, Thomas Strakosha, renditet në vendin e 16-të, me një vlerë që përllogaritet 23 milionë euro.

Portieri kuqezi ka lënë pas portierin e Bayern Munchen dhe Gjermanisë, Manuel Neuer.

Gjermani 34-vjeçar renditet i fundit në top-listën e 20 më të mirëve me vlerën 19.1 milionë euro.

Lista kryesohet nga portieri brazilian i Manchester Cityt, Ederson, me 86.8 milionë euro, ndërsa pasohet nga bashkëkombësi Alison i Liverpoolit, i cili kushton 84.2 milionë euro.

Në vendin e tretë vjen portieri i Chelseat, Kepa Arrizabalaga, i cili vlen 76.4 milionë euro.

Seria A përfaqësohet me Pau Lopezin e Romës në vendin e nëntë me 37.9 milionë euro dhe Aleks Meret i Napolit në vendin e 10-të me 35.7 milionë euro.

Portieri i Milanit, Gianluigi Donaruma, renditet në vendin e 11-të me 35.2 milionë euro.


Shtuar 11.06.2020 10:16