Juventusi përgatit festën për titullin e 9-të radhazi

E diela mund të jetë dita e kurorëzimit të 9-të radhazi për Juventusin në Serie A.

Bardhezinjtë kanë një tjetër match point në garën për titull në sfidën përballë Sampdorias që do të luhet në orën 21:45 në Allianz Stadium.

Java e 36-të mund të jetë ajo idealja që Maurizio Sarri të fitojë titullin e tij të parë në Serie A në karrierë.

Me barazimin e Atalantas ndaj Milanit dhe fitoren e Interit ndaj Genoas, vetëm 3 pikët ndaj Sampit të Ranierit që e ka siguruar tashmë mbijetesën i bëjnë punë Juves që gjithsesi mund ta sigurojë titullin edhe duke grumbulluar vetëm 2 pikë në 3 ndeshjet e fundit.

Sarri ndaj Sampit do të hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm duke patur parasysh mungesat.

Më herët në orën 17:15 në Supersport nga java e 36-të e Serie A do të keni mundësi të ndiqni sfidën Bologna-Lecce me miqtë që luajnë një nga shanset e tyre të fundit në garën për mbijetesë dhe një fitore mund t’i afrojë shumë puljezët me objektivin.

Në orën 19:30 do të zbresin në fushë dy skuadrat kryeqytetase.

Lazio me një fitore ndaj Veronas në Bentegodi mund të kapë Atalantën në vendin e 3-të në kuotën e 75 pikëve, ndërkohë që Roma me një sukses ndaj Fiorentinës në Olimpico mund të vrasë garën për vendin e 5-të me Milanin që mund të dorëzohet përfundimisht pasi diferenca 2 javë para fundit mund të shkojë në 4 pikë.


Shtuar 26.07.2020 15:41