Uzuni e Çokaj dërgojnë Lokomotivën e Zagrebit në finalen e Kupës së Kroacisë

Lokomotiva e Zagrebit “fluturon” në finalen e Kupës së Kroacisë falë dy futbollistëve shqiptarë. Enis Çokaj dhe Myrto Uzuni u bënë protagonistë në suksesin e skuadrës kryeqytetase e cila e rinisi me këmbën e mbarë sezonin pas ndërprerjes 3-mujore për shkak të pandemisë COVID-19. Lokomotiva triumfoi me shifrat 1-3 në gjysmëfinale ndaj Slaven Belupos, një fitore e madhe me përmbysje në transfertë për skuadrën ku aktivizohen 5 futbollistë shqiptarë.

Në Koprinvica trajneri i Lokomotivës së Zagrebit Tomic, nuk kurseu asnjë nga futbollistët shqiptarë me Uzunin, Çokaj, Mersinaj, Tucin dhe Kastratin që e nisën ndeshjen që nga fillimi, gjithsesi pjesa e parë përfundoi me suksesin 1-0 të Slaven Belupos falë golit të Godas pas vetëm 6 minutash lojë. Në minutën e 68-të erdhi edhe reagimi i skuadrës kryeqytetase me Enis Çokajn që barazoi shifrat.

Në të 80-ën Tolic kaloi në epërsi miqtë, ndërsa pas një kundërsulmi të shpejtë në minutën e 95-të Myrto Uzuni vulosi fitoren dhe kualifikimin në finalen e Kupës së Kroacisë të Lokomotivës që do të ketë përballë fituesen e çiftit Rijeka-Osijek. Për Uzunin ky ishte goli i 12-të sezonal, teksa 9 prej tyre i ka shënuar në kampionat dhe 3 në Kupë./ss/


Shtuar 31.05.2020 11:02