Raporti i Europol, Hajdarmataj: Grupet kriminale ndikojnë edhe tek institucionet vendimarrëse

Pas raportit të Europol, i cili e shpalli Shqipërinë dhe shqiptarët si mjaft aktiv në aktivitetin kriminal të trafikimit të drogës, ka reaguar ish-drejtuesi i forcave të rendit Arben Hajdarmataj.

Hajdarmataj u shpreh në një intervistë për Ora News se brenda vitit në vendin tonë janë futur rreth 1 ton kokainë.

Sipas tij kjo sasi e kapur është e papërfillshme në krahasim me atë që hyn në tregun shqiptar.

“Raporte që vijnë nga BE, raporte që vijnë nga DASH, tregojnë më së miri atë që ne themi dhe në njëfarë mënyrë njoftojmë opinionin publik se çfarë po ndodh. Është  për të ardhur keq se pse jemi në një situatë të tillë. Kemi rreth një vit dhe është mbi 1 ton, sasi kokaine që kapet në Shqipëri. Grupet kriminale shqiptare kanë 10 vite që po fillojnë të jenë lider në Evropë. Kemi Holandën, Anglinë, Spanjën, ku shqiptarët dominojnë. Shqetësuese është se çfarë po ndodh në Shqipëri? Është kapur një sasi shumë e vogël në krahasim me sasinë që lëviz. E gjithë kjo sasi që futet në Shqipëri na lë të kuptojmë që kjo thjesht përpunohet në Shqipëri. Ne jemi bërë bazë e përpunimit të kësaj droge.”

Ai shprehet se policia dhe prokuroria nuk bëjnë hetime në lidhje me aksionet e drogës, ndërsa shton se grupet kriminale e kanë shtrirë ndikimin deri tek institucionet vendimarrëse.

“Kush janë grupet kriminale që dominojnë që kanë ndikime deri te vendimarrja e qeverisë shqiptare? Kush janë këto grupe kriminale që ndikojnë deri tek policia e shtetit? Kjo është më shqetësuese, këtu dalin element të shtetit, drejtuesit e lartë të policisë deri tek majat e qeverisë. Duhet të jetë një garant e fuqishëm që të fus këtë sasi drogë, ta përpunojë dhe ta nxjerrë. Grupet kriminale kanë shtrirë ndikimin e tyre deri tek institucionet vendimarrëse.

Në të gjitha rastet që është kapur droga në portin e Durrësit, maksimumi ne kemi ndaluar transportuesin. Është një zinxhir personash që merret  me këtë aktivitet. Policia dhe prokuroria nuk ka bërë hetim. Për sasinë që është kapur nuk kemi asnjë informacion si publik se çfarë ëhstë bërë më këto hetime. Këto hetime mbyllen me dashje, sepse prapa kësaj skeme kriminale janë njerëz me ndikime shumë të mëdha vendimarrëse në politikën shqiptare”, përfundoi ai./albeu.com