Ngjarja ku u vra brutalisht nigeriani tronditi Italinë: Skena shokuese dhe mosreagimi i njerëzve (VIDEO)

Vijon të nxisë reagime vrasja brutale e shtetasit nigerian në Itali.

Prej pak ditësh, vdekja e një burri me nevoja të veçanta është ndër më të diskutuarat në Itali, një ngjarje që ka ngjallur zemërim publik dhe protesta.

Alika Ogorchukwu, një burrë 39-vjeçar me ngjyrë nga Nigeria, i cili kishte nevojë për bastun për të ecur, u vra brutalisht nga një 32-vjeçar në Civitanova Marche. Alika shiste rrugëve për të fituar disa të holla.

“Ai u mbyt për vdekje nga një i bardhë para njerëzve që filmuan sulmin, por nuk ndërhynë apo bërtitën që sulmuesi të ndalojë,” shkroi në Twitter avokatja Allison Bailey. “Sa barbare dhe e turpshme.”

Raportet lokale thonë shitësi u sulmua pasi i tha të dashurës së vrasësit: “Bella (në italisht: e bukur), a mund të blesh disa shami ose më jep një euro”.

Hetuesi i policisë Matteo Luconi tha: “Agresori e ka ndjekur viktimën, duke e goditur fillimisht me paterica.” “Ai e bëri të binte përtokë, më pas e mbyti duke i shkaktuar vdekjen,” shtoi ai. 32-vjeçari është arrestuar dhe përballet me akuza për vrasje.

Shumë njerëz dhe organizata e kanë dënuar sulmin. Ambasada nigeriane në Itali ka publikuar një deklaratë për shtyp për vrasjen, duke shkruar: “Incidenti ndodhi në një rrugë të frekuentuar, përballë shikuesve të tronditur, disa prej të cilëve bënë video të sulmit, me pak ose aspak përpjekje për ta parandaluar atë.”

Njerëzit janë të shokuar nga fakti që askush nuk ndërhyri për ndihmë dhe kanë nxjerrë në pah qëndrimet raciste të pranishme te shumë njerëz.

Gruaja e Orgorchukwu u bashkua me qindra protestues që shkuan në Civitanova Marche të shtunën (30 korrik) për të protestuar për vdekjen tragjike të babait të dy fëmijëve dhe për mosveprimin e atyre që panë vrasjen.