Pse e përdorin të rinjtë shqiptarë internetin?
Internet kafe
Interneti ka bërë që ata të braktisin librat dhe çdo aktivitet tjetër për kalimin e kohës së lirë. Përpos kësaj, çdo të riu në vendin tonë, i duhet që çdo ditë të bëjë pak sherr me prindërit, që ata t’i japin lekë për të shkuar në qendër interneti, pasi jo të gjithë e kanë mundësin e të pasurit të kompjuterit në shtëpi. Në çdo cep të Tiranës, por jo vetëm, nëse të bie rasti të futesh në internet-kafe, në çdo moment do t’i gjesh plot dhe përdoruesit masivë janë të rinjtë. Por sikurse frekuentuesit besnikë të internetit që janë të rinjtë, edhe ata që vendosin të punojnë në qendra të tilla janë pothuajse bashkëmoshtarët e tyre. Andi, punonjës në një qendër interneti në Tiranë, shprehet se kjo është një punë që ai e bën me dëshirë, sepse nuk mërzitesh asnjëherë, pasi gjithmonë ka diçka të re që vjen nga bota e internetit. “Jam 20 vjeç dhe mund të them që kjo është puna që bëj më me dëshirë, sepse në çdo moment je i azhornuar me atë që ndodh në botë dhe kjo në kohë reale. Në çdo kohë je me miqtë e tu, të cilët i ke në linjë dhe në çdo kohë mund të njohësh njerëz të rinj”, - thotë Andi. Ndërsa përsa i përket klientëve që frekuentojnë qendrën e internetit ku Andi punon, ai shprehet se kryesisht janë të rinjtë nga mosha 14-30 vjeç, ndërsa vihet re edhe një rritje e numrit të përdoruesve mbi këtë moshë. Personat mbi moshën 40 vjeç, sipas Andit, janë të rrallë nëpër këto ambiente. Përdoruesit ose më mirë shumica e tyre klikimet kryesore i bëjnë mbi rrjetet sociale si facebook, i cili kohët e fundit është kthyer në një lloj manie. Andi tregon se klikimi në këtë rrjet është veprimi i parë që bëjnë pjesa dërrmuese e klientëve të tij. ”Rrjetet sociale dhe çatet e ndryshme janë të pëlqyerat nga të rinjtë. Për ta më i rëndësishëm është shkarkimi i një fotoje dhe komunikimi në facebook, se kërkimi dhe shfletimi në një nga motorët e kërkimit që operojnë sot në internet. Në mënyrë kategorike, asnjëri nga të rinjtë e këtushëm nuk klikon mbi CNN, apo një faqe shqiptare për t’u informuar për atë çka ndodh rreth tyre, apo thjesht të kërkojnë një informacion për diçka që i shqetëson, qoftë kjo edhe një detyrë në shkollë”, - tregon më tej Andi. E njëjta situatë është në të gjitha qendrat e tjera të internetit në kryeqytet, ku pas rrjeteve sociale, faqet që klikohen më shumë në internet janë lojërat, përdorues të të cilave janë edhe fëmijët e vegjël. Erjola, një punonjëse në një tjetër net kafe në kryeqytet thotë se lojërat janë një nga të preferuarat e klientëve të saj dhe ka të rinj që vijnë disa herë në ditë për luajtur lojën e tyre të preferuar. ”Lojërat janë nga faqet më të pëlqyera të përdoruesve dhe mosha e tyre është e larmishme, duke futur këtu edhe fëmijë nga 7-10 vjeç apo edhe më të vegjël. Informacioni në google nuk ka fund, por të rinjtë dhe fëmijët si brez i së ardhmes janë të ‘infektuar’ nga lojërat, gjë e cila besoj nuk është e mirë, pasi përdorimi i internetit mund të jetë më efikas, duke u kthyer në një bibliotekë për të rinjtë”, - u shpreh Erjola. Ndërsa vetë përdoruesit e internetit thonë se në fund të fundit kjo është mënyra më e mirë për të kaluar kohën, dhe anëtarësimi, komunikimi në rrjetet sociale është bërë për ta një mënyrë e re jetese, ku ata komunikojnë aty për çdo gjë deri te njohjet, blerjet, shitjet apo anëtarësimi në forume të ndryshme. “Jam anëtar i disa rrjeteve sociale, kryesisht i përdor për të çatuar apo për të njohur njerëz të rinj. Kjo është mënyra më e mirë për t’u njohur dhe për të gjetur persona që ty të përshtaten, por megjithatë ekziston mundësia që personi që flet me ty mos të jetë i vërtetë, kjo është edhe mangësia më e madhe e komunikimit virtual. Por përveç këtyre, unë jam një përdorues i madh i këtij komunikimi”, - shprehet Dori. Ndërsa Neli thotë se kjo nuk është mënyra më e mirë për të personalizuar marrëdhëniet, pasi është tepër e ftohtë, duke qenë se nuk je përballë personit që bisedon. Megjithatë, sipas tij, kjo është mënyra më moderne, sepse shprehja “goce ka mundësi një minutë” apo takimet që liheshin dy ditë para për të takuar një mik kanë dalë jashtë mode. (mapo)
Shtuar më 01/09/2010, ora 13:15
Tage: internet kafe

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori