Nga miu tek elefanti në 24 milionë gjenerata
Shkencëtarët australianë kanë deklaruar që për evolucionin e kafshëve të madhësisë së minjve deri te madhësia e elefantëve janë të nevojshme 24 milionë gjenerata.

Hulumtuesit nga Universiteti Monash janë të parët që kanë matur se sa shpejt ndodh evolucioni i gjitarëve. Ata kanë treguar rritjet dhe zvogëlimet e gjitarëve që kanë ndodhur pas vdekjes së dinozaurëve para 65 milionë vitesh.

Udhëheqësi i hulumtimeve, Alistair Evans, ka udhëhequr ekipin prej 20 biologëve dhe paleontologëve. Ata së bashku kanë vërtetuar që shkalla e zvogëlimit të kafshëve është shumë më e madhe se shkalla e rritjes.

Janë të nevojshme vetëm 100.000 gjenerata për t’u arritur reduktimi i madh i ndonjë lloji të kafshëve.

Evans tha që ky hulumtim është unik, sepse shumica e punimeve të deritashme për këtë temë është fokusuar në mikroevolucionin, respektivisht ndryshimet e vogla brenda një lloji.

“Në vend të kësaj ne jemi koncentruar në ndryshimet e mëdha në madhësitë e trupave. Tani mund të tregojmë që duhen së paku 24 milionë gjenerata që ndonjë lloj të rritet nga madhësia e miut deri tek madhësia e elefantit”, ka thënë Evans.

Për një ndryshim më pak dramatik, nga madhësia e lepurit deri te madhësia e elefantit, janë të nevojshme dhjetë milionë gjenerata, ka shtuar ky shkencëtar.

Rezultatet e hulumtimit të publikuara në gazetën “The Proceedings of the National Academy of Sciences of the United States of America”. Shkencëtarët kanë vëzhguar 28 grupe të ndryshme të gjitarëve nga kontinente të ndryshme dhe baseneve oqeanike duke përfshirë elefantët, primatët dhe balenat.

Erich Fitzgerald, kurator i lartë i paleontologjisë së kurrizorëve në Muzeun Victoria dhe bashkautor i studimit, ka deklaruar që rritja e balenave deri te madhësia e sotme ka ndodhur dy herë më shpejt në krahasim me rritjen e gjitarëve tokësorë.

“Kjo është me siguri, sepse është më lehtë të jesh i madh në ujë. Është më lehtë të përballohet pesha”, ka thënë Fitzgerald.

Evans ka shprehur befasinë për zbulimin që gjitarët gjatë evolucionit janë zvogëluar gati dhjetë herë më shpejt se janë rritur.

Shumë kafshë miniaturale, si mammuthus exilis, kali xhuxh i Nilit dhe “hobitët” e ngjashëm me njerëz kanë jetuar në ishuj, çka mund të shpjegojë zvogëlimin e madhësisë së tyre.

“Kur bëheni të vegjël, keni nevojë për më shumë ushqim dhe mund të shumoheni më shpejt, ndërsa kjo është përparësi e madhe në ishujt e vegjël”, ka thënë Evans.

Ky hulumtim në mënyrë shtesë shpjegon kushtet nën të cilat gjitarët e caktuar bëhen më të madhej dhe kushtet nën të cilat ngadalësohet rritja e tyre, çka në mënyrë potenciale i kontribuon edhe zhdukjes së tyre.
Shtuar më 08/02/2012, ora 18:37

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori