Ka hyrë VAR-i në Superligë? Penalltia anulohet pas pamjeve në telefon

Sa duket VAR-i ka hyrë në fuqi në vendin tonë para afatit të caktuar nga FSHF-ja që është viti, 2021-2022.

Kanë qenë pamjet e shqyrtuara në celular ato që kanë sjellë edhe vendimin për të anuluar penaltinë absurde që ishte dhënë nga gjyqtari Orlando Kuka.

Në “SuperSport” u bë e ditur se kishte qenë administratori i Vllaznisë, Suad Lici, ai i cili kishte parë në tribunë pamjet me celular dhe kishte zbritur më pas në pistë duke ua treguar zyrtarëve të FSHF-së përgjegjës për sfidën. Lici kishte kërcënuar se do të tërhiqej nga gara nëse jepej një penallti e tillë.

Ai moment ka qenë ai që ka bërë diferencën dhe katërshja e gjyqtarëve në fushë, e cila kishte qenë dakord me akordimin penaltisë, e sinjalizuar me sa duket nga zyrtarët e FSHF-së, vendosi të kthente vendimin, duke aplikuar për herë të parë zyrtarisht VAR në kampionatin shqiptar.

Ky është një vendim i paprecedent, por që tashmë mund të bëhet rrugë në futbollin tonë, pasi pretendime të ngjashme në të ardhmen mund të kenë edhe klube të tjera që penalizohen nga gjyqtarët, sidomos në një sezon si ky aktual ku gabimet kanë qenë sistematike edhe nga ata që kanë stemën ndërkombëtare.


Shtuar 4.02.2020 10:06