Miqësore të shumta sot, katër ekipe të Superiores në fushë

Katër ekipe të Superiores në fushë ditën e sotme. Tre miqësore të programuara dhe e para është një derbi mes Apolonisë dhe Bylisit. Në stadiumin “Loni Papuçiu”, prej orës 17:00, këto dy skuadra do të përballen mes tyre.

Fierakët më parë kanë zhvilluar dy ndeshje testuese kundër Laçit dhe i kanë humbur me rezultatin e njëjtë, 0-1. Për ballshiotët kjo është miqësorja e parë.

Sot edhe Partizani zbret sërish në fushë, pas ndeshjes me Korabin që e barazoi 1-1. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja do të provojë veten kundër Egnatias, në stadiumin “Nexhip Trungu” të qytetit të Cërrikut. Kjo ndeshje luhet prej orës 17:30.

Në të njëjtin orar luan edhe Kastrioti, që në Fushë-Krujë pret Korabin e Kategorisë së Parë. Krutanët edhe në mesjavë do të luajnë miqësore, kundër Vllaznisë. Ende nuk ka detaje mbi orarin dhe vendin e zhvillimit.


Shtuar 22.08.2020 10:13