Me 13 kg kokainë “të pastër”, 25-vjeçarit shqiptar në Itali “i prishet ëndrra”

Një 25-vjeçar shqiptar është vënë në prangat e policisë italianë, pasi është kapur me 13 kg kokainë.

I riu ishte me precedentë penal dhe pa dokumenta në Itali dhe u arrestua nga Karabinierët e Bolonjës.

Mediat italiane shkruajnë se pasditen e vonë të së martës 26 prill, një patrullë policie e angazhuar në një shërbim të kontrollit të trafikut rrugor ndaloi dhe kontrolloi një makinë të vogël të drejtuar nga 25-vjeçari shqiptar, i cili i ra në sy pasi kishte menjëherë një qëndrim shumë nervoz dhe evaziv.

Dhe ishte pikërisht gjendja e nervozizmit të pamotivuar që shtyu karabinierët për ta çuar në kazermë. Në përfundim të operacioneve të kërkimit të makinës, të kryer edhe me ndihmën e njësive të qenve, u gjet një zgavër e punuar me dorë poshtë sediljes së pasme të makinës.

Brenda kishte 13 pako drejtkëndëshe kokainë, rreth një kilogram secila, të mbyllura dhe të paketuara me kujdes.

Shqiptari u arrestua dhe u dërgua në burgun e Bolonjës. Përveç kokainës, janë sekuestruar edhe dy telefona dhe 350 euro.

Kujtojmë se shqiptarët që janë vënë në prangat e policisë italiane kanë qenë jo të paktë në numër.