Gjurmët e arbëreshëve të Zarës në historinë e popullit kroat

Përgatiti: Kaliroi Mara – Studiuese Historie

Arbëreshët e Zarës kane lënë gjurmët e tyre në historinë e popullit kroat por jo vetëm.

Arbëreshët vijnë nga një popullsi shqiptare me fe katolike në rajonin e Liqenit të Shkodrës, i cili lëvizi në veri midis shekujve XVII dhe XVIII. Ata janë një komunitet i vogël shqiptar të cilët u vendosën në Zarë në vitet 1700, origjina e tyre është nga rajonet përreth liqenit të Shkodrës.

Arbëreshët, të cilët erdhën në Zara në periudha të ndryshme, shërbyen si urë lidhëse e së kaluarës ilire, kjo sepse kanë qenë prezentë në Zarë, derisa ende në ditët e sotme disa prej tyre e flasin shqipen edhe pse janë shumë të pakët në numër.

Në antikitet, Zara ishte qendra kryesore e liburneve, e dhënë kjo që tregon se kjo zonë ka qënë territor ilir. Toponimi i përdorur më parë për këtë zonë ishte Jadera, emërtim i cili përkon me një emër ilir. Migrimet në këto territore kanë qënë të pranishme dhe të vazhdueshme.

Shqiptarët e Zarës kane migruar në disa periudha me distancë kohore jo shumë të largët nga njëra tjetra. Një valë e parë migratore, në 1655, shkoi në Puglia dhe Istria. Vala e dytë, në 1726-1727 dhe 1733, u mbështet dhe u hartua nga kryepeshkopi i Zarës, Vicko Zmajević për të ripopulluar fshatin e Zarës,  ku dhe ky ishte një shqiptar por që u detyrua të sllavizohej.

Këto grupe u integruan në sferën sociale dhe ekonomike në zonën e Dalmacisë Veneciane. Dhe nëse një pjesë e tyre u asimiluan në qytetet bregdetare, në Zarë ndodhi e kundërta. Një pjesë e mirë e këtyre njerëzve qenë në gjendje të ruanin gjuhën dhe zakonet e tyre. Por në periudha të ndryshme pati ndikime të ndryshme edhe pse ky komunitet u mundua të ruante zakonet e veta. Arbëreshët u vendosën në periferi të Zarës në një tokë kënetore të furnizuar nga pronari venecian Erizzo, një lokalitet i njohur më vonë si Borgo Erizzo apo dhe Arbanasi.

Përsa i përket numrit të popullsisë të dhënat janë të pakta për periudha të ndryshme historike megjithatë, ato tregojnë se në këto territore ka pasur popullsi shqiptare apo arbëreshe si njiheshin asokohe. Borgo Erizzo, më 1756 kishte 409 banorë, më 1853 gati 900 banore. Më 1880 arriti në 2000 banorë dhe më 1916 kur Thalloczy shkruante për ta ishin 3194 banorë. Sipas regjistrimit lokal të Dalmacisë më 1908, në Borgo Erizzo banojnë në 384 shtëpi: 2573 katolikë dhe 13 ortodoksë. Politikisht, shumica e arbëreshëve të Borgo Erizzo-s mbaheshin kroatë, por gjuha që flasin ndër vete ishte arbërishtja.

Arbëreshët e Zarës pas vendosjes së tyre në këto territore ditën si të zhvillohen nga ana ekonomike, arsimore dhe sociale. Arbanasi do të bëhej elementi kryesor ekonomik në sektorin ushqimor në Zarë për dy shekujt e gjysmë të ardhshëm. Arbëreshët e Zarës ishin mjeshtër në ndërtimin e anijeve. Në 1896 u hap një shkollë fillore në italisht në Arbanasi, dhe në 1901 një shkollë e dytë në kroatisht dhe shqip.

Në aspektin politik ka të dhëna të shumta mbi rolin e tyre në cështje të ndryshme. Në  vitin 1873, Partia Kroate e të Drejtave organizoi një ngjarje të parë publike në Arbanasi, në të cilën Ante Starčević, babai themelues i nacionalizmit Kroat, u emërua udhëheqës. Një figurë kryesore italo-arbëreshe ishte Giacomo Vuxani, i cili promovoi dhe organizoi Shoqatën

Italo-Shqiptare në Zarë në 1910, në një kohë kur marrëdhëniet Italo-Shqiptare po përmirësoheshin në të gjithë rajonin.

Shumë shqiptarë të lidhur me Rilindjen Kombëtare dhe zhvillimin e letërsisë shqipe pas pavarësisë shqiptare të vitit 1912, gjithashtu bënë kontakte dhe vizituan arbëreshët në Zarë, si Faik Konica, Shtjefën Gjeçovi dhe Fan Noli. Vetë arbëreshët i dhanë mbështetjen e tyre pavarësisë së Shqipërisë me një dokument në gjuhën arbëreshe, italisht dhe kroate, duke pohuar identitetet e tyre të shumëfishta. Me administratën italiane të Zarës në periudhën e mesluftës, gjuha shqipe fillimisht u tolerua dhe më pas u ndalua nga mësimdhënia dhe përdorimi publik.

Pozita strategjike e Zarës ka bërë që vendi të bëhej pikë lakmie për këdo që kishte fuqinë e pushtimit. Pavarësisht luftërave apo dhe faktorëve të tjerë, shqiptarët e Zarës u munduan të mbijetojnë. Një tjetër moment që ka lënë gjurmë tek ky komunitet ishte dhe lufta e dytë botërore. Kjo luftë ndryshoi shumë gjëra për këta banorë. Në aspektin politik, mund të them se e përfshiu Zarën në territorin Jugosllav, ku do të qëndronte deri në shkëputjen e plotë të Kroacisë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, shumë italo-arbëreshë u larguan nga Dalmacia ose u internuan nga autoritetet e reja komuniste. Por shumë arbëreshë qëndruan: midis tyre Kristo Tomas (1908-1988) i cili ishte përgjegjës për restaurimin e monumenteve në Zarë të dëmtuara nga bombardimet e aleatëve.

Komuniteti arbëresh në ditët e sotme është i përhapur në të gjithë Kroacinë.

Edhe pse gjuha shqipe nuk përdoret shumë në komunikim, janë elementët e tjerë të cilët ky komunitet po mundohet ti mbajë gjallë. Midis përpjekjeve për të ringjallur gjuhën dhe kulturën arbëreshe ekziston mbledhja dhe riprodhimi i këngëve të vjetra arbëreshe nga Dina Bušić dhe Melita Ivkovic. Të dhëna këto të cilat tregojnë se dhe në vazhdimësi ky komunitet po mundohet të mbijetojë.