U kapën gjatë operacionit “Tempulli”, Gjykata e Vlorës lë në burg 10 të arrestuarit

Gjykata e Vlorës ka lënë në burg 10 personat e arrestuar në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli”.

Masa “arrest me burg” u dha për shtetasit Eduart Ahmeti, Idlir Omeri, Bebeto Basha, Julian Shabani, Klajdi Muca, Ari Myrtaj, Lisandro Murati, Gerand Nebiu dhe Jurgen Breshani. Ata do të njihen me masën e sigurisë.

Gjatë operacionit “Tempulli”, që u zhvillua pak ditë më parë në disa qytete, në qytetin e Vlorës ranë në pranga 69 persona.

Avokati i 10 prej të arrestuarve, Edmond Dëma, tha se Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” për të 10 klientët e tij, pasi akuzohen për “Prodhim dhe tregtim të lëndëve narkotike”.

Sakaq ai tha se të arrestuarit kanë deklaruar se janë vetëm përdorues të lëndëve narkotike dhe jo kultivues apo tregtues.

“Për të 10 kërkesat e bërë në gjykatë u vendos vlerësimi i ndalimit dhe arrest me burg për të gjithë. Akuza është ‘prodhim dhe tregtim të lëndëve narkotike. Do të zbatojmë ligjin. Të arrestuarit kanë pranuar vetëm faktin se janë përdorues dhe jo kultivues”, u shpreh avokati Edmond Dëma./Albeu.com


Shtuar 16.09.2023 13:16

Tags: