Inteligjenca artificiale, këto janë dobitë dhe disavantazhet e përdorimit në vendet e punës
Në një kohë kur inteligjenca artificiale tejkalon kufinjtë e industrisë teknologjike, puna për qeniet njerëzore mund të bëhet më e drejtë ose më shtypëse, në varësi të mënyrës si kjo inteligjencë përdoret.

Inteligjenca artificiale po zhvendoset nga industria teknologjike drejt biznesit. Firma të të gjitha llojeve po përdorin këtë inteligjencë për të parashikuar kërkesën, për të punësuar punëtorët dhe për t’u marrë me klientët.

Në 2017, kompanitë shpenzuan afro 22 miliardë dollarë në shkrirje dhe blerje të lidhur me inteligjencën artificiale.

Instituti Global i hulumtimit McKinsey madje vlerëson se zbatimi i kësaj inteligjence për marketingun, shitjet dhe zinxhirët e furnizimit mund të krijojë një vlerë ekonomike prej 2.7 trilionë dollarësh në 20 vitet e ardhshme.

Parashikime të tilla ngjallin ankth sa edhe shpresë, pasi inteligjenca artificiale mund të transformojë edhe vendet tona të punës.

Si avantazh, përfshirja e kësaj inteligjence do të rrisë produktivitetin në punë, do të rrisë sigurinë e punonjësve, do të shpërblejë ose punësojë ata të cilët vërtetë e meritojnë, dhe do të zbusin hendekun mes gjinive dhe racave.

Por në krahun e kundërt qëndrojnë disavantazhet, pasi algoritmet e inteligjencës artificiale nuk mund të jenë tërësisht të shkëputura nga paragjykimet e programuesve të tyre, të cilat mund të dëmtojnë apo favorizojnë punonjësit në mënyrë të padrejtë.

Një staf më i vjetër në moshë ka rrezik të humbasë vendin e punës nëse gjithçka që inteligjenca artificiale kërkon është produktiviteti.

Dhe mbikëqyrja nga kjo inteligjencë mund të shihet si koncept oruellian, pasi konsiderohet si ndërhyrje në privatësinë individuale.

Konkluzioni është se përhapja e shpejtë e inteligjencës artificiale duhet të udhëhiqet nga parimi i drejtpeshimit mes privatësisë dhe performancës. Përdorimi i kësaj inteligjence duhet të jetë transparent dhe të ketë përfitime si për punëdhënësit, ashtu edhe për punëmarrësit.

Një forcë pune më e drejtë dhe produktive është e vlefshme për sa kohë që nuk pengon apo çnjerëzon punonjësit. /albeu.com/
Shtuar më 29/03/2018, ora 21:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori