Pano Xhixho: Jemi gati, trasmetojmë edhe 10 ndeshje njëkohësisht

Pasi FSHF bllokoi “Supersportin” që të trasmetojë ndeshjet e Superiores, ka kërkuar te RTSH që nëpërmjet regjisë së saj të prodhojë edhe sinjalin për ndeshjen që luhet sot Partizani-Luftëtari.

Kujtojmë që pak ditë më parë, RTSH iu drejtua me shkresë FSHF-së për trasmetimin e një ndeshje të elitës pa pagesë, sidomos kur pas situatës së “COVId-19” u vendos që ndeshjet të luheshin pa tifozë. Por, FSHF nuk e pranoi kërkesën.

Në një intervistë për “Vipsport.al”, Drejtori i Depertamentit të Sportit, në RTSH, Pano Xhixho, tregon edhe gatishmërinë që ka treguar institucioni i tij duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës së FSHF-së, por me kapacitetet që ka dhe me azhornimet që i janë bërë këtij televizioni në vitet e fundit, mund të trasmetojë edhe 10 ndeshje në një ditë “LIVE”, të Superiores dhe jo vetëm.

– Pas asaj qe ndodhi… FSHF-Digitalb, sot do kemi një ndeshje që do të transmetohet në kanalin e FSHF-së. Burime pranë “VIP Sport” thonë që regjinë e ndeshjes së sotme e mbulon RTSH. Sa e vërtetë ështē kjo?!

Po, është e vërtetë. Jemi kontaktuar dje nga zyrat përkatëse të FSHF-së për mundësinë e prodhimit të ndeshjes Partizani – Luftëtari. Përgjigja e RTSH-së ka qënë pozitive sepse i plotësonim kriteret që kërkonin. Natyrisht, ky është një shërbim që do paguhet nga FSHF-ja në bazë të tarifave që transmetuesi publik ka në raste të tilla….

– Sot që flasim, a i ka kapacitet e duhura RTSH që të trasmetojë si në “Supersport”, p.sh. 3-4-5 ndeshje në një ditë?!

RTSH ka kapacitete më shumë se çdo televizion në Shqipëri, dhe po flas jo vetëm teknikisht… Kemi shtrirjen më të madhe në territorin e vendit tonë dhe ndiqemi pa asnjë pagesë shtesë jo vetem në ekran, por edhe në faqen elektronike të RTSH-së apo në Aplikacionin RTSH TANI. Sot që pyesni, RTSH transmeton në orën 17:00 në RTSH Sport një nga sfidat më të forta të Kategorisë së Parë, Besëlidhja – Erzeni, dhe po në atë orar prodhojmë ndeshjen e Superiores.

Kapacitetet i kemi, jo për një apo dy ndeshje, por kemi 13 kanale në platformën tonë… Ka ndodhur edhe gjatë këtij sezoni të kemi 3-4 evente sportive njëkohësisht dhe shikuesit kanë gjetur veten p.sh. kur luhej direkt Kupa e Gjermanisë në RTSH 1 HD, Kupa e Spanjës në RTSH 2 HD, Euroliga e Basketbollit në RTSH 3 dhe Kupa e Anglisë në RTSH SPORT. E kemi treguar me vepra që ja kemi dalë…

– A duhej që të ishin përfshirë televizionet e tjera në garën apo tenderin e së drejtës televizive?!

Kjo në fakt është një pyetje që duhet t’i drejtohet pronarit të së drejtës televizive që sipas ligjit për sportin është FSHF-ja. Për sa i përket RTSH-së, kemi qënë gjithnjë pjesëmarrës në çdo lloj tenderi të drejtash televizive publikuar nga FSHF-ja.

– Pse RTSH i besohet një ndeshje e Kategorisë së Parë, apo dhe finale që kanë pasur më shume interes se takimet e Superiores dhe një ndeshje falas nuk iu dha ndonëse ka bërë edhe kërkesë zyrtare shkresërisht pak ditë më parë?

Këtë nuk di ta them pse. RTSH ka blerë Kategorinë e Parë për një periudhë 5-vjeçare, atëherë kur nuk interesohej askush. Vetëm këtë javë kemi 3 ndeshje të kësaj Kategorie. Dje ishim ne Elbasan, sot jemi në Lezhë dhe të hënën kemi derbin e Myzeqesë në Fier. Jane 20 qyete që marrin pjesë nē këtë aktivitet, nuk janë pak. Sa i përket Superiores, RTSH gjatë këtyre viteve nuk ka rreshtur së kërkuari një ndeshje të Superiores dhe këtë e kemi bërë si tek zotëruesi i kësaj të drejte DGA, ashtu edhe tek FSHF-ja, sidomos në rastin e Pandemisë meqë tifozët nuk kanë mundësi të jenë në stadiume. Disa nga ndeshjet e “Premier League” do jepen në BBC psh, apo raste të tjera në Evropë. Ne jemi gati.


Shtuar 14.06.2020 16:16