Mickoski: Zgjedhjet sa më shpejt të jetë e mundur (VIDEO)

Vetëm zgjedhje të parakohshme parlamentare një orë e më parë janë zgjidhje për krizën politike, sipas VMRO DPMNE-së. Por, pushteti tani për tani nuk ka ndërmend ta çojë vendin në zgjedhje.

Sinjalet pozitive për zhbllokimin e mundshëm të procesit eurointegrues, sipas partive në pushtet, janë motiv shtesë që qeveria të vazhdojë me një riformatim dhe jo me zgjedhje të reja.

Për këtë shkak tashmë paralajmërohen bisedime me partitë opozitarë për zgjerimin e shumicës në pushtet. Kryeministri Zoran Zaev insiston që të bisedojë me Alternativën, për t’i ofruar kësaj partie pjesëmarrje në Qeveri. I pyetur nëse Alternativa do të bëhet pjesë e pushtetit, kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski tha se për këtë duhet pyetur Afrim Gashin.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO DPMNE-së“Këtë do e pyesni z.Gashin dhe deputetët nga grupi parlamentar i Alternativës, që sipas informacioneve që kam, janë në koalicion me Aleancën për Shqiptarët”

Ndërkohë, përveç bisedimeve për zgjerimin e koalicionit qeveritar, tashmë është thuajse e sigurt edhe riformatimi i Qeverisë dhe ndryshimi i disa ministrave aktualë. Ministrja e Arsimit Milla Carovska deklaroi sot se kjo gjë është në dorën e mandatarit.

MILLA CAROVSKA, MINISTRE E ARSIMIT
“Është pikërisht kryeministri i cili do të vendos se kush shkon e kush mbetet në Qeveri. Unë kam mandat dhe do të vazhdoj me punën time, përpjekjet e mia për të realizuar reformat në arsim, deri në momentin që mandatari nuk vendos ndryshe, në të kundërtën unë do të respektoj vendimin e mandatarit”.

Edhe ministri i Ekonomisë nga BDI Kreshnik Bekteshi theksoi se duhet patjetër riformatim i Qeverisë, por tha se BDI do të vazhdojë me ministrat e njëjtë.

KRESHNIK BEKTESHI, MINISTËR I EKONOMISË
“Rikonstruim të Qeverisë patjetër se duhet të ketë, Ministri i Bujqësisë dhe dy zëvëndësministra nga Lëvizja Besa kanë dhënë dorëheqje. Ndërsa sa i përket qëndrimit të BDI-së, nuk ka nevojë për ndryshim të anëtarëve të BDI-së në Qeverinë ekzistuese”

Aktualisht partitë pjesëmarrëse në pushtet kanë përkrahjen e vetëm 60 deputetëve, po aq sa ka edhe opozita. Për funksionimin e kësaj qeverie duhet përkrahje më e madhe, për të kaluar buxhetin dhe ligjet tjera në agjendën qeveritare. /shenja/


Shtuar 17.11.2021 18:01