Edicioni i 7-të i ICT Awards zbuloi më të mirët e kombit në teknologji (FOTO LAJM)

Shtëpia botuese lider në rajon në fushën e teknologjisë dhe informacionit ICTSmedia shpalli mbrëmjen e së Martes fituesit e edicionit të 7-të të Albanian ICT Awards pas mëse 90 ditësh në kërkim të pishtarëve të inovacionit në teknologji.

I shndërruar në Oskarin e teknologjisë për shqiptarët me një pasion për teknologjinë dhe dëshirën e madhe për të lënë gjurmë përmes saj në jetët e shqiptarëve nga mbarë trevat shqipfolëse por edhe diasporë, Albanian ICT Awards dha verdiktin e saj në Mbrëmjen Gala me kurorëzimin e fituesve në shtatë kategori.

Fituesit e mëdhenj të Mbrëmjes Gala janë prova më e qartë se e ardhmja e shqiptarëve në teknologji është padyshim e ndritur.

Kësaj ngjarje unike dhe të përvitshme ju bashkuan: Kryetari i Bashkisë Tiranë z. Erion Veliaj; Ministri i Inovacionit të Kosovës z. Besim Beqaj, dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës z. Valdrin Luka, Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes së Shqipërisë z. Eduard Shalsi, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal(RCC) zj. Majlinda Bregu, politikanë, diplomatë, akademikë, studiues, të rinj dhe të reja entuziastë të botës së teknologjisë.

Mbrëmja Gala u hap me fjalën përshëndetëse të bashkëthemeluesit të ICT Awards z. Kushtrim Shala i cili tha se “është vërtetë emocion i madh pas një rrugëtimi gjatë dhe pune të palodhshme të vijmë në këtë natë ku finalizohen përpjekjet disa mujore të ekipit të ICT Awards por edhe pritja e kandidatëve për fjalën e fundit të kësaj gare.”

Juria e këtij edicioni e ka konsideruar vlerësimin e projekteve një sfidë të madhe e cila çdo vit vështirësohet falë profesionalizmit në rritje të projekteve. Z. Shala falenderoi sponsorët tradicionalë Bankën Raiffeisen, Fondacionin Dritan Hoxha dhe Albvision si dhe 110 kandidatë të cilët i besuan kësaj ngjarjeje.

Menjëherë pas tij fjalën e mori kryetari i jurisë Dr. Ilir Çapuni i cili tha se “Prania e ministrave tregon rëndësinë që ka inovacioni për ekonominë dhe rëndësinë që ka ICT Awards për përcaktimin e ekselencës në këtë fushë.”

ICT Awards është një nga pak iniciativa që mbështet punën dhe talentin e të rinjve dhe të reja përmes një vlerësimi transparent. Në këtë skenë kanë kaluar produkte të dëshmuara në gjashtë vitet e fundit. Secili anëtar i jurisë ka bërë vlerësimin individual të secilit prej 110 punimeve, një shifër rekord.

Ministri i Inovacionit të Kosovës z. Besim Beqaj vlerësoi punën e shtëpisë botuese organizatore e kësaj ngjarje duke thënë se “falë ICTSmedia kemi bashkuar në këtë sallë më të mirët e gjithë kombit.”

“Një profesor i im më thoshte mos u dëshpëro nëse dështove sepse dështimi yt është vetëm versioni 1.0. ICT Awards i cili sot është në 7.0 është bekim i madh për qytetin tonë,” tha Kryebashkiaku i Tiranës z. Erion Veliaj. Ai premtoi që Samiti Dixhital i organizuar në Beograd të sillet së shpejti edhe në Prishtinë dhe shumë e shumë iniciativave të tjera rajonale për një Ballkan Perendimor të Dixhitalizuar.

Së fundi sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal(RCC) zj. Majlinda Bregu tha se “të gjithë ata që janë nën 30 vjeç janë rritur në një kohë jo vetëm që dinë të përdorin kompjuterin por të gjitha programet e tij. Përditë e më shumë i detyrohemi këtij brezi të ri.”

Pas fjalës së rastit organizatorët nisën shpërndarjen e çmimeve për shtatë kategoritë.

Në kategorinë Ylli në Ngritje garuan Ardit Xhaferri me projektin GIVE, Fiona Meqa me projektin Shtëpia e Zgjuar, Jasir Idriz me projektin e krijimit të një uebsajti për fakultetet dhe Daniel Doçi me projektin Virtual Reality Driving Stimulator (VRDS). Çmimi Ylli në Ngritje u dha nga Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi për Fiona Meqa.

Në kategorinë Diploma e Vitit garuan Besart Kuleta me projektin Analiza e shportës së konsumatorit – rast studimi i bazuar në Data Mining, Klajdi Çaushi me projektin Një kriptovalutë për sektorin e turizmit në Shqipëri – Një skenar zbatimi dhe Xhoena Polisi me projektin Algoritma të detektimit të qelizave në mjedise të ndryshme qelizore. Çmimi Diploma e Vitit shkoi për Xhoena Polisi.

Në kategorinë Mobiliteti i vitit garuan Arbër Puci me projektin LaPiat, Erion Cuni me projektin Kalipso dhe Hashim Llumnica me projektin Zhvillimi i teknologjise ne Android për persona te verbër. Çmimi Mobiliteti i Vitit ju dorëzua Erion Cunit.

Kandidati Hashim Llumnica është pak më i veçantë. Fëmijëria e Llumnicës ishte e ngjashme me ato të moshatarëve të tij, deri në moshën 18 vjeç, moment kur ai humbi aftësinë e shikimit. Me gjithë vështersitë që i kishte Llumnica, vazhdoi studimet e Larta. Llumnica merret me programet për platformën e “Androidit” në gjuhën shqipe, për personat e verbër dhe me shikim të dobësuar. Ai deri me tani ka bërë me shume se 10 aplikacione që ju vijne në ndihmë komunitetit me shikim të dobësuar.

Në kategorinë Femra në ICT garuan Blerta Thaçi me projektin Tech4Policy, Ines Bula me projektin Ndërtimi i Robotëve nga mbetjet mekatronike dhe Julia Hoxha me projektin Zana. Femra e Vitit në ICT u shpall Julia Hoxha.

Në kategorinë Inovacioni i Vitit garuan Agon Avdimetaj me projektin Rosie; Rezart Prifti me projektin Platforma Shqiptare e Mësimit Online, Metronom dhe Qëndrim Pllana me projektin Evaluo – Test on the go. Inovacioni i Vitit u shpall Agon Avdimetaj.

Ky edicion i 7-të kishte rezervuar edhe çmimet suprizë si ICT Research of the Year që shkoi për Andi Bejleri me projektin Comprehensive Multiparty Session Types.

Në kategorinë Shërbimi Publik u vitit u shpallën fitues Platforma zyrtare e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për këshillim dhe orientim në karrierë, Busulla.COM në Kosovë, Vodafone Albania dhe Bashkia Tiranë me aplikacionin Tirana Ime në Shqipëri dhe Rijad Abdullai me projektin Qendra për shërbime të TI-së në Maqedoninë e Veriut.


Në kategorinë Cyber Security u sfiduan Bleon Proko me projektin TP_3num; Butrin Komoni me projektin Cyclone dhe Meridian Miftari me projektin Analizë ose publikim për metodologjinë e mbrojtjes nga sulmet kibernetike çmim i cili shkoi për Meridian Miftari.

Në kujtim të kontributorit më të shquar të ICT Awards ndër vite i cili tashmë është ndarë nga jeta, Rrustem Alaj, ekipi i ICT Awards vendosi të ndante një çmim Kontributori i Vitit në edicionin e 7-të për Enis Vehapin. Rrustem Alaj është bashkëthemeluesi, mbështetësi më të fuqishëm, kontributori më i shquar të ICT Awards ndër vite por jo vetëm por edhe në çdo hap të hedhur nga shtëpia botuese ICTSmedia, një njeri me përkushtim dhe vendosmëri të jashtëzakonshme i cili tashmë është ndarë nga jeta.


Gara mbarëkombëtare ndau mirënjohje për Shkollën Faik Konica në Prishtinë, Shkollën Mark Nuculloviq në Ulqin, Shkollën Kolin Gjeka në Lezhë, Eljon Shkollolli dhe Pranvera Hyseni.

Albanian ICT Awards hapi dyert e edicionit të 7-të më datën 6 Shkurt në Tiranë. Gjatë kësaj periudhe deri më 30 Mars ku u bë edhe mbyllja e aplikimeve u organizuan 27 takime në shkolla, universitete, qendra dhe hapësira inovacioni me të rinj dhe të reja, profesionistë, udhëheqës të dalluar, entuziastë dhe krijues të teknologjisë.

Deri më 30 Mars pranë Albanian ICT Awards kishin mbërritur plot 110 aplikime për të cilat juria u befasua për nga niveli i kreativitetit dhe profesionalizimit që përmbanin duke ja vështirësuar më tutje misionin e saj.

Më 31 Mars juria do të mblidhej për herë të parë dhe e udhëhequr nga Dr. Ilir Çapuni edhe përbërë nga 13 anëtarë udhëtoi më 19 Prill deri Prishtinës dhe 20 Prill drejt Tiranës për tu gjendur më afër kandidatëve të listës së ngushtë.

Kandidatët për herë të fundit patën shansin ti rrëmbenin vëmendjen jurisë përpara se të vinte Mbrëmja Gala e datës 30 Prill në Tiranë.

Albanian ICT Awards udhëtoi drejt Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Vlorës, Pejës, Prizrenit, Preshevës, Lezhës, Ferizajt dhe Mitrovicës për të identifikuar inovacionin dhe kreativitetin shqipfolës.

Që nga edicioni i parë janë vlerësuar mbi 1,000 projekte në fusha të ndryshme të teknologjisë. Me partnerët strategjik si Fondacioni “Dritan Hoxha”, banka Raiffeisen në Shqipëri, të mediave si Top Channel, TV Klan dhe kompanive private si ALBVISION e shumë partnerëve dhe sponsorëve të tjerë, ICT Awards edhe këtë vit do të shpërblejë finalistët dhe fituesit me çmime të ndryshme.

Fituesit:

ICT Inovacioni i Vitit: Agon Avdimetaj me projektin Rosie

ICT Mobiliteti i Vitit: Erion Cuni me projektin Kalipso

ICT Ylli në Ngritje i Vitit: Fiona Meqa me projektin Shtëpia e Zgjuar

ICT Diploma e Vitit: Xhoena Polisi me projektin “Algoritma të detektimit të qelizave në mjedise të ndryshme qelizore.”

Femra në ICT: Julia Hoxha me projektin Zana

ICT Shërbimi Publik i Vitit në Shqipëri: Vodafone Albania dhe Bashkia Tiranë me projektin Tirana Ime

ICT Shërbimi Publik i Vitit në Kosovë: Platforma zyrtare e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për këshillim dhe orientim në karrierë

ICT Shërbimi Publik i Vitit në Maqedoninë e Veriut: Rijad Abdullai me projektin Qendra për shërbime të TI-së

ICT Researcher of the Year: Andi Bejleri me projektin Comprehensive Multiparty Session Types

Cyber Security: Meridian Miftari me projektin Analizë ose publikim për metodologjinë e mbrojtjes nga sulmet kibernetike

Çmimi Kontributori i Vitit: I ndarë në kujtim të Rrustem Alaj, bashkëthemeluesit, mbështetësit më të fuqishëm, kontributorit më të shquar të ICT Awards ndër vite por jo vetëm por edhe në çdo hap të hedhur nga shtëpia botuese ICTSmedia, një njeri me përkushtim dhe vendosmëri të jashtëzakonshme i cili tashmë është ndarë nga jeta, shkoi kontributorin Enis Vehapi.

Mirënjohje: Shkollën Faik Konica në Prishtinë, Shkollën Mark Nuculloviq në Ulqin, Shkollën Kolin Gjeka në Lezhë, Eljon Shkollolli dhe Pranvera Hyseni.
Shtuar më 02/05/2019, ora 11:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori