Ministrja e Ramës zbulon si do të hapet Shqipëria: Do të ketë 4 faza, jemi në të parën!

Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion”, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se strategjia e hapjes e realizuar nga Komiteti Teknik, është e bazuar në 4 faza.

Sipas ministres ne kemi aplikuar fazën e parë që është dhe më pak e rrezikshmja, ndërkohë që është vlerësuar rrisku i hapjes për secilën nga fazat.

Manastirliu bëri të ditur se nëse në fazën e parë do të ketë një numër të caktuar të rasteve të reja nën një mesatare të caktuar, do të vijohet me fazën e dytë.

“Komiteti Teknik ka realizuar një strategji të rihapjes në faza dhe ka vlerësuar 4 faza të rihapjes së aktiviteteve dhe në bazë të disa kritereve të vendosura, bazuar në kurbën, numrin e të shtruarve dhe kurbën epidemiologjike dhe ka vlerësuar disa faza të hapjes”, tha Manastirliu.

E pyetur nëse janë hartuar të gjitha fazat në vijim, ministrja u përgjigj:

“Kemi kriteret e çdo faze të hapjes, kemi vlerësuar rriskun për secilën fazë. Rastet pozitive klasifikohen në disa aspekte që do të thotë nëse në fazën e parë do të kemi mbi 15 raste pozitive në ditë përmbi një mesatare të rasteve që është rreth 15 raste të reja në ditë, ne do të themi që do të vijojmë në fazën e dytë.

Nëse numri do të rritet do të kalojë mbi mesatare nuk do të kalojmë në fazën e dytë, do të mbajmë frenat e emergjencës”.


Shtuar 27.04.2020 21:15