Përmbytjet apokaliptike në Turqi, rryma e ujit merr një foshnjë 3-muajshe, vijojnë kërkimet

Turqia është përfshirë prej disa ditësh nga një mot i keq, me shi dhe përmbytje të mëdha, të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa nuk kanë munguar as incidentet.

Mediat turke raportojnë se në qytezën e Aksaray, një foshnjë vetëm 3-muajshe është marrë nga rryma e ujit, që përfshiu banesën e familjes Balcan, si pasojë e vërshimit të ujërave.

Ekipet e shpëtimit, xhandarmërisë, policisë dhe ndërhyrjes së shpejtë, prej ditës së djeshme po vijojnë me intensitet kërkimet në rajonin ku ndodhi ngjarja.

Një ekip prej 250 personash është në kërkim të foshnjës Asel në një zonë rreth 15 kilometra, ndërsa kanali i ujit dhe rrethinat e tij u skanuan hap pas hapi paralelisht me rrugën e goditur nga përmbytja.

Megjithatë, ende nuk u gjet asnjë gjurmë e foshnjës, edhe pse gjatë ditës së sotme u raportua se kërkimet janë intensifikuar me qen të stërvitur të sjellë nga Ankaraja, të specializuar në kërkim-shpëtim.

Në përmbytjen e ndodhur, mbrëmjen e së dielës, më 3 shtator, në lokalitetin Kireçlik të Aksaray, një person humbi jetën, 14 persona u shpëtuan, ndërsa për të zhdukurin 3-muajsh Asel Balcan nisën kërkimet, të cilat vijojnë pa ndërprerje.


Shtuar 6.09.2023 15:21