Gjermania dëbon dy diplomatë iranianë

Gjermania ka dëbuar dy punonjës të Ambasadës iraniane në Berlin.

Ky vendim vjen pas dënimit me vdekje të shtetasit iranio-gjerman, Jamshid Sharmahd, nga gjyqësori i Iranit për gjoja planifikimin e një sulmi vdekjeprurës të vitit 2008.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha më 22 shkurt se kishte thirrur të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Iranit për ta informuar “se ne nuk pranojmë shkeljen masive” të të drejtave të një qytetari gjerman.

“Ne i bëjmë thirrje Iranit që të revokojë dënimin me vdekje të Jamshid Sharmahd dhe t’i lejojë atij një proces të drejtë apelimi”, tha ajo.

Në vitin 2020, Irani ka arrestuar Sharmahd nën dyshimet se ka qenë i përfshirë në një sulm ndaj një xhamie më 2008 në Shiraz, ku u vranë 14 persona dhe u plagosën mbi 200 të tjerë. /REL/


Shtuar 22.02.2023 12:57